Policia e Kosovës bashkë me atë gjermane aksion ndaj mashtruesve kibernetik, sekuestrohen 120 mijë euro e arrestohen 20 persona
Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka kryer së f undi një aksion në kuadër të hetimeve për krimet kibernetike. Sipas Prokurorisë, ky aksion u zhvillua pas hetimeve disa mujore. Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar 14 lokacione, në Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik dhe Klinë dhe janë arrestuar 20 persona të dyshuar se…
Lajme
Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka kryer së f undi një aksion në kuadër të hetimeve për krimet kibernetike.
Sipas Prokurorisë, ky aksion u zhvillua pas hetimeve disa mujore.
Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar 14 lokacione, në Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik dhe Klinë dhe janë arrestuar 20 persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale: “Hyrja e paautorizuar kompjuterike” dhe “Mashtrimi”.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar prova relevante dhe atë:
· Para të gatshme – rreth 120,000.00 euro;
· Vetura të ndryshme – 5 (pesë);
· Janë ngrirë mjete financiare nëpër banka në Kosovë, si dhe prona të paluajtshme;
· Rreth 30 kompjuter;
· Rreth 30 telefona;
· Pajisje memorizuese;
· Dokumente dhe prova tjera relevante për rastin, etj.
“Në zbatimin e planit operativ kanë marrë pjesë rreth 120 zyrtarë policor (DHKK, DHKEK, DHKOKR, DHTN, DHTNj, DKT, NjSO, NjRSh, dhe Krimteknika-vendi i ngjarjes). Gjithashtu, në operacion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë gjerman, prokurorë dhe zyrtarë policor”,thuhet në njoftimin e policisë.
Me urdhër të Prokurorit nga Prokuroria Speciale, 10 të dyshuar dërgohen në mbajtje prej 48 orëve, ndërsa 10 të dyshuar të tjerë lirohen në procedurë të rregullt./Lajmi.net/