Policia e Kosovës arreston priftin serb për sjellje fyese

Prifti ortodoks serb, Stevo Mitriq, ka thënë se është arrestuar dhe keqtrajtuar nga Policia e Kosovës në komunën e Suharekës. Por, zyrtar të kësaj policie, thonë se personi në fjalë, është dënuar për tejkalim të shpejtësisë. Dhe i njëjti, sipas policisë, është arrestuar pas përdorimit të fjalëve fyese dhe hedhjes së tiketës. 

Lajme

23/05/2014 19:39

Një prift i dioqezës së Prizrenit, Stevo Mitriq, famullitar në kishën ortodokse në Prishtinë, ka deklaruar se një dit më parë është ndaluar nga Policia e Kosovës për shkak të tejkalimit të shpejtësisë në Suharekë. Ai është ankuar se kinse është keqtrajtuar nga policia sepse nuk dinte ta lexonte dënimin në gjuhën shqipe.

“Mitriqit, i cili u ndalua për shkak të tejkalimit të shpejtësisë në rrugën drejt Hoçës së Madhe, policia ia shqiptoi dënimin”, raporton KiM radio.

“Kur prifti ka thënë se nuk e kupton se çfarë i është shkruar në gjuhën shqipe dhe ia ka kthyer policit, me arsyetimin se ka të drejt që dënimi të shkruhet në gjuhën serbe, që është gjuhë zyrtare, atij i janë vënë prangat në duar dhe është dërguar në stacionin policor, ku ka qëndruar për disa orë”, thuhet tutje në tekst.

“Me dërguan në stacionin policor në Suharekë, aty kam dhënë edhe deklaratë. Një polic i cili u prezantuar si Brka, me ka thënë se për çka jam sjellë në polici dhe po e citoj: Atë që ju serbët po e kërkoni ne nuk jemi të obliguar ta respektojmë. Dëshironi të jetë ashtu, por nuk është. Ai me ka thënë se nuk ekziston asnjë ligj që e përcakton se dënimi duhet të shkruhet në gjuhën serbe dhe se jam sjellë në polici për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe nuk e kam respektuar policin gjatë kryerjes së detyrës”, ka thënë Mitriq.

Mirëpo, Policia e Kosovës ka pasur një shpjegim tjetër për këtë çështje. Rreshteri Vesel Gashi nga Policia Rajonale e Prizrenit, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se personi i ndaluar nga policia për tejkalim të shpejtësisë, ka treguar sjellje fyese dhe për këtë arsye ata janë detyruar t’a arrestojnë.

“Personi në fjalë, dje rreth orës 17 e 45 në rrugën Suharekë-Rahovec, është ndaluar nga një pikë kontrolli për tejkalim shpejtësie. Pas shqiptimit të tiketës, personi ka bërë sjellje fyese ndaj policëve, duke e hedhur tiketën. Pas insistimit të policisë që ai të sillet komform rregullave, ai ka vazhduar që të mos i përfillë ato”.

“Më pas policia e ka arrestuar, dhe rasti është dërguar në Gjykatën e Suharekës. Sot kjo gjykatë, personit në fjalë i ka shqiptuar dënim prej 150 euro për mos përfillje të urdhrave të personit zyrtar dhe pengim të kryerjes së detyrës”.