Policia e gatshme për protesta, nuk takohen me VV-në

Policia e Kosovës (PK) thotë se me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për protestën e paralajmëruar për nesër dhe se ka hartuar planin operativ për menaxhimin e protestës.

Lajme

03/02/2015 16:31

Përmes një njoftimi, PK thotë se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për të kontaktuar me organizatorët e kësaj proteste, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste, i cili është qëllimi primar i Policisë së Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mos përgjigjes deri më tani nga ana e organizatorëve.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve”, thuhet në këtë njoftim.

“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”.

“Policia e Kosovës, sipas kësaj kumtese pret që protesta e nesërme të jetë e dhunshme, e në protestë, sipas PK-së, mund të ketë edhe persona të armatosur, të cilët kanë për qëllim destabilizimin e situatës dhe shkaktimin e incidenteve, qoftë ndaj zyrtarëve policorë apo edhe ndaj vetë protestuesve”.

“PK apelon të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprim i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rend dhe siguri publike”.

“PK po ashtu apelon te prindërit dhe tek personeli arsimor, që të ndikojnë tek nxënësit, që të mos jenë pjesë e protestës dhe shfaqjes së mundshme të dhunës”.

“Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të kësaj proteste”.

“PK në fund apelon te qytetarët dhe pronarët e dhe bizneseve të cilët nuk janë pjesë e protestës, por janë në afërsi të ambientit ku mund të zhvillohet kjo protestë, të jenë të kujdesshëm për shkaqe sigurie”.