Policia dyshon se Vetëvendosje ka qëllim krijimin e trazirave (Video)
Djegia e veturave zyrtare dhe objekteve qeveritare janë qëllimi që institucionet e sigurisë në vend po dyshojnë se e ka Lëvizja Vetëvendosje.

Lajme
Si rezultat i kësaj, burime të RTV Dukagjinit kanë bërë të ditur se Policia e Kosovës ka shtuar jashtëzakonisht masat e sigurisë në vend, saktësisht në Prishtinë. Dyshimet thuhet të kenë ardhur pas deklaratave publike të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do të kursejnë asgjë për të ndaluar jetësimin e bashkësisë së komunave serbe.
Policë civil kanë shtuar prezencën e tyre në kryeqytet, posaqërisht afër objektit të këtij subjekti politik dhe po e përcjellin lëvizjen e aktivistëve. Policia ka udhëzuar zyrtarët e shtetit që asnjë veturë zyrtare mos shfrytëzohet pas orarit të punës dhe se ato të qëndrojnë në parkingjet e secilit institucion dhe jo në parkingje private.
Krejt kjo pasi që policia posedon informacione se secila veturë zyrtare që gjendet para ndonjë parkingu të banesave apo shtëpive, mund të digjet nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në anën tjetër, zëdhënësi i VV-së Frashër Krasniqi ka thënë se Qeveria Mustafa nëpërmjet policisë po e provokon dhunën.
