Policia dje konfirmoi incidentin, por Sylejman Meholli e mohon- thotë se do i padisë ata që po shpifin

Komuna e Vushtrrisë, është një ndër 18 komunat e Kosovës të cilat do të vazhdojnë garën në balotazh më 9 nëntor. Në këtë garë, janë Ferit Idrizi kandidat i PDK-së për kryetar të Komunës së Vushtrrisë dhe Sylejman Meholli nga Lëvizja Vetëvendosje. Por, gara mes tyre duket të jetë e ashpër dhe shumë serioze ndonëse…

Lajme

30/10/2025 11:47

Komuna e Vushtrrisë, është një ndër 18 komunat e Kosovës të cilat do të vazhdojnë garën në balotazh më 9 nëntor. Në këtë garë, janë Ferit Idrizi kandidat i PDK-së për kryetar të Komunës së Vushtrrisë dhe Sylejman Meholli nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por, gara mes tyre duket të jetë e ashpër dhe shumë serioze ndonëse diferenca mes tyre nga rezultati i dal nga raundi i parë i zgjedhjeve për kryetar Komune në Vushtrri është shumë e madhe.

Ferit Idrizi ka marrë 45.24% ndërkaq Sylejman Meholli që ka dal i dyti ka marrë 30.81% të votave, shkruan lajmi.net.

Në një debat në Kallxo.com, Idrizi dhe Meholli kanë bërë akuza të forta për njëri-tjetrin, duke thënë se ata kanë marrë dhe i kanë dërguar në shtëpitë e tyre edhe gjërat e blera me para të Komunës.

Idrizi ka thënë për Mehollin se e ka marrë qumështin prej bufesë dhe e ka dërguar në shtëpinë e tij, ndërkaq Meholli ka thënë se kundërkandidati i tij, aktualisht kryetar i Vushtrrisë, Ferit Idrizi i ka marrë drutë nga oborri i shkollës dhe i ka dërguar në shtëpi.

Pas këtij debati mes tyre, dje është raportuar se Idrizi dhe Meholli kanë kanosur njëri tjetrin .

Lajmin për lajmi.net mbrëmë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prishtinë, Enis Pllana.

“Sot rreth orës 17:30 është pranuar informata për një kanosje në rrugën Xhorxh Bush në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka arritur në vendin e ngjarjes. Aktualisht po vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen,” ka deklaruar për Lajmi.net zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana.

Policia ka nisur hetimet për sqarimin e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësive eventuale, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar persona të arrestuar.

Por, akuzat që iu bën mbrëmë kandidati i VV-së për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli i ka mohuar duke thënë madje se s’pati kurrfarë incidenti.

Ai për lajmi.net ka thënë se sot do të dorëzoj padi për shpifje.

“Jo. Mbramë s’ka pasë incident. Unë sot do të dorëzoj padi për shpifje”, ka thënë Meholli për lajmi.net.

Dje për rastin është deklaruar përmes një postimi në Facebook, Ferit Idrizi i cili ka thënë se është kërcënuar nga Meholli.

“Mirëmbrëma qytetarë të Vushtrrisë, miq dhe përkrahës. Pas debatit të sotëm në RTV Dukagjini me Jeta Xharrën, kam qenë objekt i një kërcënimi nga kandidati tjetër. Bashkë me dëshmitarët tjerë, sapo kemi dhënë dëshminë në stacionin e policisë në Prishtinë. Rasti është në trajtim nga institucionet përkatëse. E dënoj këtë akt dhe ju kërkoj ndjesë për shqetësimin. Gara për Vushtrrinë duhet të mbetet garë idesh dhe projektesh, jo kërcënimesh. Unë do të vazhdoj të përfaqësoj secilin qytetar me përgjegjësi dhe dinjitet. Faleminderit nga zemra për secilën thirrje dhe mesazh!”, ka shkruar Idrizi në Facebook.

Teksa po afrohet data për balotazhin, po ashpërsohen edhe garat mes kandidatëve dhe sulmet e ndryshme e akuzat e shumta ndaj njëri tjetrit.

Komuna e Vushtrrisë ka qenë “protagoniste” kryesore e këtyre zgjedhjeve edhe pas koalicionit që u raportua mes Xhafer Tahirit të LDK-së dhe VV-së e që më pas nga LDK reaguan e thanë se është bërë pa autorizimin e tyre. /Lajmi.net/