Policia dhe Prokuroria vizitojnë vendet e masakrave në Drenas: Riafirmohet angazhimi për hetimin e krimeve të luftës

Policia e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin për zbardhjen dhe hetimin e krimeve të luftës, duke theksuar se procesi për identifikimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve do të vazhdojë edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me prokurorin e Prokurorisë…

Lajme

17/07/2026 16:26

Policia e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin për zbardhjen dhe hetimin e krimeve të luftës, duke theksuar se procesi për identifikimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve do të vazhdojë edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ilir Morina, Drejtorin e Departamentit të Hetimeve, Agron Nezaj, dhe Drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Bashkim Spahiu, kanë vizituar fshatrat Abri e Epërme dhe Poklek i Vjetër në Drenas, vende ku gjatë luftës u kryen disa prej masakrave më të rënda ndaj civilëve shqiptarë, transmeton lajmi.net.

Sipas Policisë, në këto dy lokalitete forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë 82 civilë të pafajshëm, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Nga viktimat, 23 u vranë në Abri të Epërme, ndërsa 59 në Poklek të Vjetër.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit institucionalë janë takuar me familjarët e viktimave, Imer Deliu dhe Fadil Muqolli, të cilët kanë ndarë dëshmi dhe rrëfime për ngjarjet tragjike të luftës.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, së bashku me përfaqësuesit tjerë, ka shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë punën për dokumentimin e krimeve dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe institucionet tjera kompetente, do të vazhdojë hetimet për krimet e luftës, duke trajtuar me seriozitet çdo dëshmi dhe informacion që mund të kontribuojë në zbardhjen e rasteve.

“Ruajtja e kujtesës për viktimat, mbështetja për familjet e tyre dhe vendosja e drejtësisë mbeten obligim institucional dhe moral i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Njoftimi i plotë: 

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Policia e Kosovës riafirmon përkushtimin për hetimin dhe adresimin e krimeve të luftës

Prishtinë, 17 korrik 2026

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me Prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ilir Morina, Drejtorin e Departamentit të Hetimeve Agron Nezaj dhe Drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës Bashkim Spahiu, realizuan dje me 16.07.2026 një vizitë në fshatrat Abri e Epërme dhe Poklek i Vjetër të Drenasit, vende ku gjatë luftës u kryen disa nga masakrat më të rënda ndaj popullsisë civile shqiptare.

Në këto dy lokalitete, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë dhe masakruan mizorisht 82 civilë të pambrojtur, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, prej tyre 23 viktima në Abri të Epërme dhe 59 viktima në Poklekun e Vjetër.

Gjatë vizitës, delegacioni institucional u takua me familjarët e viktimave, Imer Deliu dhe Fadil Muqolli, të cilët ndanë dëshmitë dhe rrëfimet e tyre për ngjarjet tragjike. Drejtori Hoxha me përfaqësuesit tjerë institucionalë shprehën solidaritetin me familjet dhe ritheksuan angazhimin e përbashkët për zbardhjen e plotë të këtyre krimeve makabre dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Policia e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar që, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe institucionet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit, të vazhdojë me intensitet hetimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Pavarësisht kohës së kaluar, çdo dëshmi dhe çdo informacion trajtohet me seriozitet të lartë, me synimin që përgjegjësit e këtyre krimeve të identifikohen, të ndiqen penalisht dhe të përballen me drejtësinë.

Ruajtja e kujtesës për viktimat, mbështetja për familjet e tyre dhe vendosja e drejtësisë mbeten obligim institucional dhe moral i Republikës së Kosovës./lajmi.net/