Policia dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë me aksion, arrestohen dy zyrtarë për marrje ryshfeti gjatë testimit për vozitje

Policia e Kosovës, ka njoftuar se përmes Sektorit për Hetimin e Korrupsionit, ka ndërmarrë sot veprime konkrete operacionale në kuadër të një hetimi për korrupsion. Derisa veprimet policore janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Sipas njoftimit të lëshuar për media thuhet se, hetimet kishin filluar në prill 2025 ku dhe…

Lajme

19/05/2025 21:33

Policia e Kosovës, ka njoftuar se përmes Sektorit për Hetimin e Korrupsionit, ka ndërmarrë sot veprime konkrete operacionale në kuadër të një hetimi për korrupsion.

Derisa veprimet policore janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të lëshuar për media thuhet se, hetimet kishin filluar në prill 2025 ku dhe janë shoqëruar me masa të posaçme hetimore.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar dëshmi të rëndësishme materiale të cilat lidhen me rastin.

Për këtë rast dy persona të dyshuar u intervistuan ku më pas me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Policia ka kontrolluar në dy lokacione të ndryshme dhe ka identifikuar mjete të dyshuara të përdorura në kryerjen e veprës penale.

“Hetimet janë duke vazhduar me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe vënies së përgjegjësve para organeve të drejtësisë”, theksohet në njoftimin e policisë.

Teksa nga Prokuroria kanë thënë se personat e ndaluar janë zyrtarë publikë të cilët dyshohen se me qëllim që viktima të kalojë testin praktik të vozitjes i kanë kërkuar para ryshfet, të cilat i kanë pranuar dhe për shumën e pranuar, kandidatja ka kaluar testin.

Lidhur me këtë ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afateve ligjore, ndërsa prokurori i Shtetit do të ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale në grumbullimin e provave.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave, si dhe dërgimin para gjykatës të secilit kryes të këtyre veprave penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Lajmi.net/