Policia deklarohet për largimin nga puna të dhëndrit të Thaçit: Ndaj tij ishin iniciuar 15 raste dhe vazhdoi me shkelje të njëjta
Mbrëmë është raportuar për largim nga puna të zyrtarit policor, Arben Visoqi. Visoqi përmes një postimi në Facebook tha se u largua nga puna pas 25 vitesh shërbim, e që sipas tij kjo ndodhi për shkak të presionit nga Vetëvendosje. Pas kësaj, Policia e Kosovës përmes një publikimi ka reaguar duke i bërë të ditura…
Lajme
Mbrëmë është raportuar për largim nga puna të zyrtarit policor, Arben Visoqi.
Visoqi përmes një postimi në Facebook tha se u largua nga puna pas 25 vitesh shërbim, e që sipas tij kjo ndodhi për shkak të presionit nga Vetëvendosje.
Pas kësaj, Policia e Kosovës përmes një publikimi ka reaguar duke i bërë të ditura të gjithë detajet në lidhje me këtë vendim.
Policia i bëri të ditura veprimet e ndërmarra lidhur me largimin nga puna të togerit policor Visoqi, që me detyrë ishte në DHTQNJ në Pejë.
“Policia e Kosovës, është institucion i zbatimit të ligjit, dhe të gjithë zyrtarët policorë duhet të ushtrojnë autorizimet e tyre dhe të kryejnë detyrat në mënyrë të ligjshme, të bazuara në Kushtetutë, në ligjet e tjera në fuqi dhe në kodin e etikës, i cili është në përputhje me parimet policore dhe me kodin evropian të etikës policore. Në kuadër të Policisë së Kosovës, ekzistojnë mekanizmat e kontrollit të brendshëm si dhe komisionet të cilat trajtojnë çdo rast, shkelje apo ankesë të mundshme ndaj zyrtarëve policorë, përfshirë edhe Inspektoratin Policor si mekanizëm i jashtëm i trajtimit dhe hetimit të rasteve ndaj zyrtarëve policorë”,thuhet në reagim.
Gjithashtu theksohet se ndaj zyrtarit policor, për shkak të shkeljeve disiplinore, që nga inkuadrimi i tij në polici e deri në largimin e tij nga detyra, janë iniciuar 15 raste, ku prej tyre janë trajtuar 13 në nivel qendror dhe 2 në nivel rajonal, të cilat janë trajtuar në mënyrë profesionale dhe të pavarur nga mekanizmat e brendshëm të Policisë së Kosovës.
Nga 15 raste të iniciuara, 3 prej tyre kanë pasur të bëjë me shkrime dhe komente në rrjete sociale, ku në total janë shqiptuar 6 masa disiplinore ,duke përfshirë edhe rastin e fundit në gusht 2026, Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës me vendim të PK-së.
Në 3 rastet e trajtuara që kanë të bëjnë me rrjetet sociale, janë shqiptuar masat;
– Ndalesë në pagë 30% për 2 muaj, e iniciuar në vitin 2016 dhe shqiptuar masa po ashtu në vitin 2016.
– Ndalesë në pagë 30% për 6 muaj, e iniciuar në vitin 2025 dhe shqiptuar masa në vitin 2026.
-“Ndërprerje e marrëdhënies së punës”, e iniciuar në vitin 2026 dhe shqiptuar masa po ashtu në vitin 2026.
E sipas policisë, meqë zyrtari ka vazhduar me shkeljet e njëjta duke rënë në kundërshtim me procedurat e parapara ligjore, Udhëzimin Administrativ me nr. 04/2019, për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës, Neni 20. Sjellja e rëndë diskredituese, paragrafi 1, pika 1.14. Sillet në mënyrë të tillë duke dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj; Neni 21 Mosbindja e rëndë, paragrafi 1, nen. par. 1.13. Me veprim apo mosveprim, nuk zbaton apo nënvlerëson urdhrat apo udhëzimet nga autoriteti i nivelit qendror; dhe Neni 24 Shkelja e rëndë e autorizimit paragrafi 1, nen. para. 1.17 Publikon, shfaq, shpërndan apo komenton postime, fotografi, video dhe incizime që dëmtojnë imazhin e Policisë.
“Lidhur me vendimet PK-së, palëve iu jepet këshillë juridike për të drejtë të ankesës në gjykatën kompetente.Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, trajtimin e të gjitha rasteve edhe ndaj zyrtarëve të saj në mënyrë të drejt dhe profesionale, me qëllim të ruajtjes së imazhit pozitiv dhe profesional të Policisë së Kosovës.”./Lajmi.net/