Policia arreston të dyshuarin për ngjarjen në “Kodrën e Trimave”, ku me një BMW shkeli grupin kundërshtarë – i konfiskohet vetura e përdorur në rast
Policia e Kosovës ka arrestuar një person dhe ka identifikuar edhe katër të dyshuar të tjerë pas një incidenti të rëndë që ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike në kryeqytet. Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, më 31 janar 2026, rreth orës 15:15, është raportuar për të shtëna me armë zjarri…
Lajme
Policia e Kosovës ka arrestuar një person dhe ka identifikuar edhe katër të dyshuar të tjerë pas një incidenti të rëndë që ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike në kryeqytet.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, më 31 janar 2026, rreth orës 15:15, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Fahri Fazliu”, transmeton lajmi.net.
Hetimet fillestare kanë treguar se pas një konflikti ndërmjet dy grupeve të personave, situata ka eskaluar me përdorim të armëve të zjarrit pranë një lokali afarist, duke krijuar rrezik serioz për qytetarët dhe pronën publike.
Pas incidentit fillestar, konflikti ka vazhduar edhe në një lokacion tjetër të qytetit, ku një veturë është përdorur si mjet rrezikimi ndaj personave, duke shkaktuar lëndime trupore te disa qytetarë. Gjithashtu, dyshohet se nga vetura në lëvizje janë shkrepur të shtëna me armë zjarri.
Njësitë policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendngjarje dhe duke kryer ekzaminime të plota kriminalistike dhe forenzike. Gjatë veprimeve janë sekuestruar gëzhoja dhe fragmente predhash, municion, mjete të forta, si dhe vetura e dyshuar e përfshirë në rast.
Në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar hetim për veprat penale: vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje e paautorizuar e armëve.
Si rezultat i punës intensive hetimore, policia ka siguruar video-incizime nga kamerat e sigurisë, ka realizuar tri bastisje në lokacione të ndryshme dhe ka konfiskuar dy armë zjarri si dhe prova të tjera relevante. Janë identifikuar gjithsej pesë persona të dyshuar, prej të cilëve njëri, me inicialet A.T., është arrestuar dhe është dërguar në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa katër të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke mos toleruar asnjë formë dhune apo rrezikimi të jetës së qytetarëve.
Postimi i plotë: