Policia arreston tre të dyshuar që futën barna përmes aeroportit, intervistohen edhe dy zyrtarë doganorë

Policia e Kosovës sot pasdite kanë ndaluar tre të dyshuar që me vetura bartnin një sasi të madhe të barnave. Për rastin janë njoftuar hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NjRHKEK) – Prishtinë. Dyshohet se këto barna ishin futur përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës pa kaluar nëpër procedurat e parapara…

Lajme

02/05/2025 22:19

Policia e Kosovës sot pasdite kanë ndaluar tre të dyshuar që me vetura bartnin një sasi të madhe të barnave.

Për rastin janë njoftuar hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NjRHKEK) – Prishtinë.

Dyshohet se këto barna ishin futur përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës pa kaluar nëpër procedurat e parapara për raste të tilla.

Për rastin janë njoftuar Inspektorët farmaceutik, të cilët kanë bërë edhe evidentimin me procesverbal të barnave, sasisë dhe llojeve të tyre. Sipas inspektorëve vlera e kësaj sasie të banave është rreth 150 mijë euro.

Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar (dy shtetas turq dhe një kosovar). Ndaj tyre është iniciuar rasti karshi veprave penale: ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’ dhe ‘Kontrabanda me mallra’. Pas intervistimit, tre të dyshuarit me aktvendim nga prokurori janë dërguar në mbajtje.

Në vazhdën e trajtimit të rastit të mësipërm, hetuesit e NjRHKEK-së, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, kanë intervistuar dy zyrtarë doganorë, të angazhuar me detyrë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Rasti është trajtuar në koordinim me prokurorinë e rastit, i cili me aktvendim mbi ndalimin e personit ka urdhëruar që njëri nga të dyshuarit të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tjetrit rasti vazhdohet në procedurë të rregullt./Lajmi.net/