Polici Çlirim Shaqiri dëshmon për përjetimet në Banjskë: Sulmi nuk ka pushuar asnjëherë që nga momenti i shpërthimeve
Në sesionin e pasdites në gjykimin ndaj tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, në Gjykatën Themelore në Prishtinë të hënën u dëgjua i dëmtuari- dëshmitari Çlirim Shaqiri. Ai tregoi për lëndimet që kishte marrë ditën kritike të 24 shtatorit 2023 sa ishte në detyrë, për humbjen e rreshterit Afrim…

Lajme
Në sesionin e pasdites në gjykimin ndaj tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, në Gjykatën Themelore në Prishtinë të hënën u dëgjua i dëmtuari- dëshmitari Çlirim Shaqiri. Ai tregoi për lëndimet që kishte marrë ditën kritike të 24 shtatorit 2023 sa ishte në detyrë, për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku, si dhe për mënyrën se si arritën të shpëtojnë nga breshëria e plumbave që binte pa ndalë mbi ta.
Shaqiri tha se është zyrtar policor në Njësinë për ndërhyrje të shpejtë në Policinë e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, prokurori special Naim Abazi e pyeti dëshmitarin se a ka qenë i plagosur në ditën kritike dhe a vazhdon të marrë trajtim mjekësor.
“Atë ditë kam marrë lëndime të rënda si pasojë e sulmit dhe vazhdoj të marr trajtim mjekësor”, tha Shaqiri.
Sipas tij, më 23 shtator 2023 në orën 08:00 të mëngjesit janë caktuar së bashku me zyrtarët policorë Alban Rashiti dhe Mirsad Kryeziu në pikën e Izvorit për kontroll- gjegjësisht asistim të njësive që operonin në atë pjesë.
Shaqiri tha se në pjesën e paradites gjendja ka qenë e qetë dhe se nuk ka pasur asgjë të jashtëzakonshme, andaj është punuar si zakonisht.
“Pasi që kemi përfunduar ndërrimin në ora 14:00 kemi vazhdu në bazë dhe kemi patrulluar në atë pjesë deri kur kemi bërë zëvendësimin kolegëve në ora 20:00”, tha Shaqiri.
Dëshmitari u shpreh se pasi që kishin bërë zëvendësimin e kolegëve kanë vazhduar me detyra, diku pas një ore e kanë marrë një informatë përmes dhomës komanduese për një veturë të dyshimtë që gjendet në atë pjesë.
Aty tha se kishin vazhduar patrullimin, kurse vetura me targa KM ishte verifikuar dhe u konstatua se nuk ka diçka të jashtëligjshme.
Shaqiri theksoi se pas përfundimit të orarit, kanë pranuar zëvendësimin e ndërrimit nga kolegët, nga ku vazhduan për në bazë në Koshtovë të Vllahisë me Albanin dhe Mirsadin.
“Rrugës, gjegjësisht në fshatin Banjskë kemi vërejtur dy kamionë të vendosur në urë, të cilët kanë bërë bllokadë- bllokimin e urës. Jemi mundu me kontaktu me dhomën komanduese për bllokimin e rrugës, por për shkak se nuk ka pas valë, nuk kanë punu as lidhjet as radiolidhjet”, tha Shaqiri.
Ai tregoi se pasi kishin dhënë informatën për dhomën komanduese, u është thënë të kthehen në Banjskë që të marrin pamje për çështje operative për të raportuar se si është gjendja.
“Kemi kontaktu me nënkolonel Veton Elshanin, i cili më ka pyetur se sa zyrtarë policorë jeni dhe na ka treguar që të kërkojmë asistencë nga zyrtarët për ndërhyrje të shpejtë me bazë në Koshtovë për largim të barrikadës. Kemi kërkuar që të vinë sa më shpejtë sepse kemi pa që gjendja nuk është si zakonisht”, tha ai.
Më pas, deklaroi se nga ora 3:00 kishin ardhë dy patrulla nga stacioni i Zveçanit në krye me rreshterin Afrim Bunjaku.
“Në ato momente kemi bërë një komunikim mes kolegësh ku kemi ndarë pozicionet, konkretisht detyrat dhe gjatë komunikimit me kolegun Alban, më është kërku me qëndru te vetura”, tha Shaqiri.
Sipas tij, rreshteri Bunjaku me zyrtarët tjerë që kishin shkuar në atë lokacion, sa kishte qenë ai te vetura, kishin kaluar nga ana e majtë dhe kishin kaluar për kontroll të barrikadës në urë.
Në ato momenti, Shaqiri thotë se e kishte kontaktuar Elshani, të cilit i kishte treguar se kanë shkuar patrulla dhe gjatë bisedës, tha se kishin ndodhur dy shpërthime të njëpasnjëshme.
“Kam arrit me i thanë në telefon se ka gjuajtje dhe kam marr mbrojtje afër motorit të veturës derisa kolegët e mi kanë qenë afër kamionëve, ku edhe ka ndodh shpërthimi. Para se me ndodh sulmi, nuk kam pas mujt me vërejtë diçka të dyshimtë pasi që në pjesën ku kemi qëndruar ne ka qenë një ndriçim më i madh, ndërsa nga pjesa e fshatit Banjskë- gjegjësisht Manastirit, ka qenë errësirë”, tha ai.
Çlirim Shaqiri deklaroi se pasi kishte ndodhur shpërthimi në anën e tij të djathtë, tha se ishte bërë tym dhe nuk kishte parë dhe çfarë po ndodhte.
“Jam mbrojt te motori i veturës dhe iu jam kundërpërgjigj sulmit. Kam dëgju kolegun Alban që po më thirrë që me sjellë veturën se një koleg është plagos rëndë. Ishte fjala për rreshterin e ndjerë”, tha Shaqiri.
Pasi dëgjoi thirrjen, ai tha se ishte futur në veturë dhe filloi të lëvizte prapa për t’iu afruar rreshterit, por për shkak të sulmeve të njëpasnjëshme, nuk kishte arritur ta dërgonte veturën afër rreshterit, ngase vetura ishte dëmtuar shumë dhe i ishte ndalë, duke mbetur ai brenda saj.
Sipas dëshmitarit, në ato momente e kishte parë Albani që kishte mbetur brenda veturës dje e kishte thirrë të dalë nga vetura, dhe kishte dalë nga ajo. Aty, polici Rashiti i kishte kërkuar të vazhdojë në drejtim të tij, e që ai e kishte mbuluar me zjarr. Por, thotë se nuk e kishte ditur që Rashiti ishte plagosur.
“Kam arrit me shku afër kolegëve nëpër breshëri të plumbave dhe aty kam marr vesh që përveç rreshterit të ndjerë, është plagosur edhe kolegu Alban Rashiti”, tha Shaqiri.
Gjatë dëshmisë, ai tha se të shtënat nuk ishin ndalë në asnjë moment nga momenti i shpërthimit, kurse armatimi që përdonin sulmuesit ishte i rëndë- por që për shkak të errësirës nuk kanë arritur të identifikojnë pajisjet që janë përdorë.
“Sulmi ka qenë nga drejtimi i Manastirit të Banjskës dhe përreth. Gjatë qëndrimit të zyrtarëve që kanë qenë afër kamionëve, zyrtari policor Mirsad është afruar afër nesh dhe është munduar që të bëjë lëvizje që të afrohet të veturat që kemi pasur në lokacion. Gjersa ai ka bërë lëvizje, unë me kolegun Alban dhetë tjerët, e kemi mbuluar me zjarr”, tha dëshmitari.
Polici Mirsad Kryeziu, Shaqiri thotë se kishte vazhduar pranë veturave duke u përpjekur t’i japë ndihmë rreshterit, ishte futur në njërën nga veturat- por që Rashiti i kishte thënë se është pikërisht ajo vetura që nuk po punonte (ky ishte Shaqiri më parë).
Alban Rashiti, sipas policit Shaqiri, i kishte thënë të dëmtojnë ndriçimin, pasi ishin në pozicion të keq dhe në rrezik për jetën. Andaj, kishin fikur ndriçimin në atë pjesë.
“Mirsadi ka marrë veturën tjetër dhe ka marrë trupin e rreshterit Afrim, ka fillu me tërheq trupin për me fut në veturë, ku i ka ndihmu edhe një koleg tjetër nga stacioni i Zveçanit, por për shkak të sulmit nuk kanë mundur që ta fusin vetëm ata. Me këtë rast, Mirsadi ka kërku ndihmë prej meje dhe Albanit”, tha Shaqiri.
Polici Rashiti meqenëse ishte i plagosur, zyrtari policor Shaqiri thotë se i ka kërkuar t’iu ndihmojë kolegëve. Tha se e kishte shikuar a ka puls rreshteri.
“Nuk kam vërejtë puls dhe nuk kemi pas mundësi me i dhënë ndihmë. Përkundër se janë sulmuar shumë edhe në ato momente kanë arrit me tërheq trupin dhe me shku në drejtim të Mitrovicës së Jugut”, tha dëshmitari.
Derisa është kthyer tek kolegët pranë kamionit, ai thotë se kishte bërë përpjekje të kërkojë ndihmë prej kolegëve, por ka kaluar kohë dhe ishte vonuar ndihma. Tha se në ato momente kishin biseduar se si të tërhiqen nga sulmi për shkak të rrezikut të madh për jetë.
Shaqiri deklaroi se pas pak kishin parë se kishte arritur një veturë e blinduar, duke u munduar t’i tërheq ata nga ai lokacion. Pasi ishin futur në veturë, së pari tha se filloi t’i jepte ndihmë Alban Rashitit- ngase ishte në gjendje të rëndë dhe kishte gjakderdhje të madhe.
“Jam mundu me ndal gjakderdhjen, por në ato momente për shkak të adrenalinës dhe rrezikut, nuk kam ndier dhimbje në shpatulla, gjegjësisht ku edhe e kam marrë lëndimin. Rrugës, dhimbja ka fillu me u rrit dhe kemi vazhdu në Spitalin e Mitrovicës ku edhe na u është ofruar ndihma”, tha Shaqiri.
Ai thotë se sulmi ishte jashtëzakonisht i madh, kishte rrezik për humbje jete për atë dhe kolegët e tjerë.
“Si zyrtar policor, por edhe gjatë jetës nuk kam dëgjuar dhe nuk jam përballuar ndonjëherë me ndonjë sulm të tillë, pasi që sulmi ka qenë shumë i lartë dhe është përdorur armatim i rëndë”, tha dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Abazi.
Polici tha se vazhdon të jetë në pushim mjekësor për shkak të lëndimeve të rënda fizike dhe psikologjike që i kishte përjetuar atë ditë nga ai sulm.
“Sulmi nuk ka pushuar asnjëherë që nga momenti i shpërthimeve e deri në largimin nga lokacioni dhe në çdo moment është rritur intensiteti”, tha Shaqiri.
Mbrojtësi i Vladimir Toliq, avokati Millosh Deleviq e pyeti se si i kishte marrë lëndimet. Shaqiri tha se në momentin kur kishte ndodhur shpërthimi, ka ndierë një shtypje në pjesën e kraharorit dhe kur kishte ndihmuar në tërheqjen e trupit të rreshterit Bunjaku, e kishte vërejtur se dhimbja në atë pjesë ishte shumë e madhe.
Kurse, mbrojtësja e Dushan Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq e pyeti se si kishte komunikuar me kolonelin Veton Elshani, pasi deklaroi se nuk kishte pasur rrjet në telefon.
“Siç edhe dëshmova, në pjesën ku ka ndodhur sulmi vende-vende nuk ka pasur mundësi komunikimi dhe ne kemi lëvizur në atë pjesë- tash çështje e telekomunikacionit nuk e di se si funksionojnë, por gjatë lëvizjes kemi pasur komunikim, por jo komunikim të qëndrueshm”, u përgjigj dëshmitari.
Polici Çlirim Shaqiri deklaroi se për shkak se pjesa nga janë sulmuar ka qenë errësirë, ka qenë e pamundur të idenifikojnë personat me pamje të fytyrës apo diçka tjetër.
Ai tha se në fshatin Banjskë kanë patrulluar për një kohë të gjatë dhe pjesërisht në pjesën e Izvorit- këtë pjesë tha se e ka njohur mirë.
Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti e pyeti se a ka pasur indikacion apo informacion që ajo ngjarje mund të ndodh, për çka, dëshmitari tha se nuk kanë pasur informata e as indikacione të tilla.
“Ka qenë pritë dhe e menduar mirë”, tha Shaqiri kur u pyet nëse ishin zënë në befasi. Ai në fund tha se sulmi nuk ka qenë i provokuar.