Policët e Mbrojtjes së Afërt që jetën e personaliteteve me rëndësi të veçantë e kanë para të vetës-Brenda njësisë janë vetëm dy gra

Policia e Kosovës është ndër institucionet e pakta në vend që ndër vite vetëm se ka arritur të ngrisë besimin edhe më tepër tek qytetarët. Si institucion që merret me problematikat më të mëdha në vend, sidomos në një linjë të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe sigurinë e tyre, puna e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës…

Lajme

02/01/2025 20:30

Policia e Kosovës është ndër institucionet e pakta në vend që ndër vite vetëm se ka arritur të ngrisë besimin edhe më tepër tek qytetarët.

Si institucion që merret me problematikat më të mëdha në vend, sidomos në një linjë të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe sigurinë e tyre, puna e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës bëhet edhe më e vështirë.

Të ofrosh siguri për qytetarët nga komunitete të ndryshme, për institucionet, për objekte të ndryshme me rëndësi të veçantë e më së shumti për figurat publike të rëndësishme të vendit natyrisht se është e vështirë dhe mjaftë sfiduese.

E pikërisht në kuadër të ofrimit të sigurisë në vend, në Policinë e Kosovës ka zyrtarë policorë të specializuar vetëm për mbrojtjen e personaliteteve.

Kjo njësi e specializuar brenda vetes ka emra të shumtë, të cilët në publik jo çdoherë janë të njohur-por që gjithmonë përkujdesen që jetën e personaliteteve të cilët i ruajnë ta kenë para të vetes.

Për këtë edhe janë të betuar deri në fund, që t’u ofrojnë sigurinë e nevojshme qoftë President, Kryeministër, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Prokuror , Gjyqtarë apo edhe zyrtarë të huaj shtetërorë të cilët vinë në Kosovë në kuadër të delegacioneve.

Trajnimin të cilin e kryejnë kjo njësi në vete përmban shumë vështirësi, sfida e specifika që duhet kaluar me patjetër. Testimet fizike, psikike e shëndetësore të cilat bëhen, shpesh herë dinë të jenë edhe më të vështira se në ushtri, si shkak i rrezikshmërisë që shpesh herë kanë këto personalitete.

Në arsenalin e trajnimeve dhe analizave inteligjente njësia nuk mund të garantojë siguri pa armët e zjarrit.

Armët e njësisë janë armët standarde por gjithmonë ekziston edhe diçka që për publikun mbahet sekret.

“Njësia e Mbrojtjes së Afërt është e pajisur me disa lloje të armëve, duke filluar prej pistoletës ‘Glock 19X9’, është e pajisur edhe me dy lloje të tjera të armëve të gjata që janë familje e ‘Heckler’ , ky është ‘MP5’ i gjatë 9 milimetrash me optikë dhe laser mirëpo laseri është përparësi sepse nëse shikon në optikë vetëm atëherë duket laseri, është armë operative, është armë defensive që përdoret nga të gjitha njësitë elite në botë”.

“Ndërsa kemi edhe armë tjetër të familjes së ‘Heckler’ është ‘MP5 klein’ në gjuhën gjermane është armë e shkurtër e përdorshme edhe për teshat kate dhe nuk vërehet gjatë kohës në formacion nën pallto të gjatë”, tha njëri nga trajnerët e armëve në Policinë e Kosovës.

Njësia e Mbrojtjes së Afërt ishte themeluar më 21 janar 2002, me detyrën kryesore që t’u ofrojë siguri e mbrojtje personale për “VIP”, apo njohur ndryshe si njerëzit me të rëndësishëm në vend.

Përveç kësaj, Njësia siguron mbrojtje për personat që besohet se janë subjekt i kërcënimeve.

Njësia e Mbrojtjes së Afërt gjithashtu ndërmerr operacione taktike, shoqërimin e delegacioneve dhe evakuimet e stafit ndërkombëtar dhe oficerëve të Policisë së Kosovës. NRKR ose Njësia Rajonale e Krimit në Rrugë u formua në maj 2001 dhe ishte aktive për detyrë (16 Operatorë u zgjodhën midis 45-ve që ishin në trajnim intensiv.)

E kjo njësi e specifikuar tashmë është shndërruar në drejtori të veçantë. Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga Policia e Kosovës.

“Drejtoria e Mbrojtjes se Afërt (DMA) është drejtori qendrore e PK-se, në kuadër të Departamentit të Njësive Speciale (DNJS), e cila ka strukturën organizative mbi të cilën funksionon dhe operon”.

Sipas policisë, veprimet e tyre dhe shpërndarja e operatorëve nëpër ekipe bëhet sipas procedurave ligjore, në përputhje me procedurat standard të operimit, si dhe varësisht raportit të vlerësimit të kërcënimit për personalitetin e caktuar.

“Kjo drejtori posedon numër të mjaftueshëm për realizimin e detyrave dhe autorizimeve policore, mbrojtjes së afërt ndaj personaliteteve që parashihen me ligj dhe e cila në vazhdimësi ka treguar rezultate/suksese të larta në punë”, thuhet në përgjigje.

Por kjo njësi përkujdeset edhe për sigurinë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kurti njëherësh shpesh herë është konsideruar edhe si njeriu që kanosjen e rrezikut e ka tejet të lartë. Pra konsiderohet si një prej njerëzve më të rrezikuar në vend e në rajon.

Për t’u përkujdesur për sigurinë e tij, Kurti jo gjithmonë ka rreth vetes numrin e njëjtë të operatorëve.

Nga Policia e Kosovës janë vendosur shpesh herë direktiva të ndryshme e numër i ndryshëm i zyrtarëve policorë që duhet ta ruajnë atë, varësisht nga momenti, nga vendi e nga rreziku që i kanoset.

Por sipas informacioneve për t’u përkujdesur për sigurinë e të parit të Qeverisë së Kosovës janë ka një numër të konsiderueshëm të operatorëve , natyrisht të ndarë në dy ekipe në orare të ndryshme.

Të njëjtit janë në funksion për t’i siguruar kryeministrit Kurti sigurinë e nevojshme kurdoherë që kërkohet.

Por këta zyrtarë duhet specifikuar se në fakt janë në shërbim të cilitdo kryeministër që vie në pushtet. Anipse në publik shpesh herë cilësohen si “truprojat” e një personi të specifikuar, ata janë zyrtarë policorë të Kosovës e që përkujdesen për ofrimin e mbrojtjes së veçantë për personalitetet me rëndësi të veçantë kurdoherë që ata janë në pozita të caktuara.

E natyrisht se ngjashëm është edhe sa i përket Presidentit të Kosovës. Tash e disa vite në krye të presidencës është Vjosa Osmani.

Për dallim nga kryeministri Kurti, numri i operatorëve për të siguruar Osmanin është dukshëm më i lartë. Këtu duhet përmendu faktin se kryeministri Kurti shpesh herë për shkak të politikave personale kishte kërkuar mos të mbrohet fare, por kjo gjë nuk është vendosur nga ai.

Madje sipas informacioneve Osmani rreth vetes ka mbi 30 zyrtarë policorë që përkujdesen për mbrojtjen e saj.

E jo vetëm kaq. Këta zyrtarë policorë në numër shumë të madh përkujdesen për presidenten Osmani brenda dhe jashtë vendit, varësisht ku gjendet ajo. Në shërbim të ofrimit të sigurisë së Presidencës së Kosovës, të njëjtit në të shumtën e rasteve janë shumë edhe gjatë udhëtimeve ku presidentes i nevojitet me patjetër Mbrojtja e Afërt.

E në numër më të vogël janë operatorët të cilët përkujdesen për të parin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrin Sveçla, liderët e subjekteve politike e zyrtarë të tjerë shtetërorë.

Këtë vit nën përkujdesen e Mbrojtjes së Afërt është vendosur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu pati afër vetes tërë kohën dy operatorë të cilët përkujdesen për mbrojtjen e saj.

E ngjashmëri në numër kanë edhe zyrtarë të tjerë nga Prokuroria, Gjykata, e institucione përkatëse të vendit por me më pak rrezik.

Numri i operatorëve që funksionojnë në kuadër të kësaj njësie ndryshon nga dita në ditë, nga rreziku në rrezik. Kësisoj për çdo personalitet ka ndarje të ndryshme të operatorëve, gjë që u takon zyrtarëve të përcaktojnë atë. E veçanta e njësisë është se aty janë vetëm dy gra. E gjithë këto ekipe nga Mbrojtja e Afër kujdesen për sigurinë e fytyrave publike dhe familjarëve të afërt, siç janë bashkëshorti/ja, apo fëmijët.

Mbrojtja e Afërt gjithashtu përkujdeset edhe për delegacionet në Kosovë, gjë që e bën edhe më të veçantë dhe më të rëndësishme punën e tyre.

Nga kjo njësi vazhdimisht kryhen trajnime të veçanta, e ku nuk mungojnë edhe testimet e shpeshta.

Në kuadër të kësaj njësie zyrtarët policorë testohen edhe sa i përket aspektit fizik, psikik dhe përdorimit të armëve.

Ajo çfarë e bën të veçantë këtë njësi janë planet të cilat krijohen paraprakisht, vendet të cilat kontrollohen, përkujdesja e veçantë për rrugët në të cilat kalojnë, objektet ku kanë për t’u ndalë e deri në detajet më të vogla.

Zyrtarët e kësaj njësie janë në shërbim gjatë gjithë kohës, madje shpesh herë edhe në festa e më së tepërmi në datat e rëndësishme shtetërore.

Pjesëtarët apo operatorët e Mbrojtjes së Afërt përkujdesen mjaftë shumë edhe për përgatitjen fizike individuale secili prej tyre me angazhim maksimal. Të qenurit mirë fizikisht ua lehtëson edhe mundësinë e zhvillimit të punës.

Dallimi nga pjesëtarët e tjerë në kuadër të njësive të specializuara është se të njëjtit nuk kanë vetëm një uniformë.

Shpesh herë identifikimi i tyre s’është i nevojshëm e as i preferuar.

Disa nga fytyrat që ruajnë njerëzit me rëndësi të veçantë në Kosovë janë të njohur, e disa nuk dihen fare.

Nga kjo njësi policore e Kosovës ofrohet siguri e pakusht për personalitetet me rëndësi të veçantë në Kosovë, e të njëjtit shpesh herë janë në shërbim edhe në veri të vendit- për shkak të trajnimit të veçantë që kanë përfunduar pas diplomimit në Mbrojtje të Afërt.

Rreziku që i paraqitet vendit dhe personaliteteve shpesh herë bie mbi supet e këtyre zyrtarëve policorë të cilët vazhdojnë që të shërbejnë nga gjeneratat në gjeneratë./Lajmi.net/