Policët afganë shesin armët te talebanët për “bukë të gojës”

Pjesëtarët e policisë afgane kanë qenë të detyruar të shesin armët e tyre për talebanët, pasi oficerët policor nuk kanë marrë pagat për muaj. Disa edhe u janë bashkuar kryengritësve. 

Bota

04/11/2014 13:52

Policia lokale në krahinat Ghazni, Logar, dhe Maidan Vardak thonë se nuk janë paguar për tre muaj dhe nuk kanë para për të ushqyer familjet e tyre.

“Ne s’kemi bukë për të ngrënë”, tha Mohmad Ajan, i cili kishte luftuar kryengritësit talebanë gjatë dy viteve të fundit në Maidan Vardak, shkruan Khaama Press. Ai shtoi se policët po përballen me “uri, etje dhe të ftohtë”, transmeton lajmi.net.

Shumë oficerë thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër, pos të shesin armët e tyre personale dhe municion. Blerësit zakonisht janë njerëz lokalë – por nganjëherë ata janë militantët talebanë. Gjithashtu raportohet se disa prej policëve janë bashkuar me militantët.

Bashkësia ndërkombëtare ka shpenzuar miliarda dollarë për pajisjet dhe trajnimin e forcave policore. Fondi i Mirëbesimit të Rendit dhe Ligjit në Afganistan, është drejtuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, ishte krijuar për të paguar pagat dhe pensionet e policisë afgane.

Por auditimet e fundit nga Inspektori i Posaçëm për Rindërtimin e Afganistanit tregojnë mungesën e qindra miliona dollarëve në fondin e pagave të policisë.

Kreu i këtij inspektorati John Sopko dërgoi disa letra nga administratori i UNDP-së, duke vënë në dukje “një varg të parregullsive”, që ngriti shqetësime serioze për korrupsion dhe keq-menaxhim.

Korrupsioni është një problem i madh për Afganistanin. Transparency International, një organizatë që gjurmon korrupsionin ndërkombëtarisht, ka renditur Afganistanin në fund të listës së saj globale vitin e kaluar. 

Në fund të muajit tetor, policët mbajtën një protestë masive në Kabul duke kërkuar që ata të paguhen. Ata paralajmëruan se oficerët do të mund të bashkohen me grupet talebane në qoftë se nuk marrin pagat e tyre. (lajmi.net)