Polemika rreth kthimit në Itali të Ronaldos, Ministri i Sportit: Ai ka shkelur protokollin

Kanë nisur polemikat rreth Cristiano Ronaldos, i cili të martën rezultoi pozitiv për COVID-19 sa ishte me kombëtaren e Portugalisë.

Sport

15/10/2020 15:52

35-vjeçari vendosi të kthehej në Itali gjatë ditës së djeshme me një aeroplan privat, i dedikuar vetëm për të. Krejt këtë e bëri për të qenë sa më shpejt i gatshëm për Juventusin.

Mirëpo, kjo po duket se i ka hapur telashe. Minsitri i Sportit në Itali, Vincenzo Spadafora në një intervistë ka deklaruar se Ronaldo ka shkelur protokollin e koronavirusit, transmeton lajmi.net.

”Ai ka shkelur protokollin nëse nuk ka pasur autorizime specifike nga autoriteti shëndetësor”, tha shkurt Spadafora për Rai Radio1.

Ronaldo do të qëndrojë së paku 10 ditë në izolim.

Problemi është se ai fillimisht nuk duhej të largohej për ndeshjet ndërkombëtare pasi nuk iu dha leja, mirëpo ngriti zërin ndaj drejtuesve të Juventusit dhe shkoi pa pyetur. Ai luajti ndaj Francës dhe Spanjës, por mungoi në takimin ndaj Suedisë. Anësori më pas u kthye në Itali, anipse ishte i infektuar me koronavirus.

Se çfarë do të vendoset ndaj tij, ende nuk dihet. /Lajmi.net/