“Po zhduken provat?” – Visar Azemi: Pas hetimeve, ka filluar ndërrimi i njehsorëve

Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me skandalin e raportuar për njehsorët elektrikë, duke ngritur shqetësime serioze për procesin e hetimit dhe trajtimin e provave. Sipas tij, menjëherë pas nisjes së hetimeve, kanë filluar edhe zëvendësimet e njehsorëve të vjetër, gjë që ai e cilëson si përpjekje për të fshehur prova…

Lajme

13/04/2026 18:40

Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me skandalin e raportuar për njehsorët elektrikë, duke ngritur shqetësime serioze për procesin e hetimit dhe trajtimin e provave.

Sipas tij, menjëherë pas nisjes së hetimeve, kanë filluar edhe zëvendësimet e njehsorëve të vjetër, gjë që ai e cilëson si përpjekje për të fshehur prova të mundshme.

“Në momentin që ne e kemi bërë publik skandalin me njehsorët elektrikë dhe kanë nisur hetimet, në vend që këta njehsorë të ruhen si prova, ka filluar zëvendësimi i tyre. Kjo ngre dyshime serioze për tentim të fshehjes së manipulimeve”, është shprehur Azemi.

Ai ka theksuar se një veprim i tillë, nëse vërtetohet, përbën shkelje të rëndë ligjore.

“Fshehja e provave është vepër penale. Çdo ndërhyrje në këtë fazë të hetimit është e papranueshme dhe dëmton drejtpërdrejt zbardhjen e së vërtetës”, ka deklaruar ai.

Azemi ka kërkuar që procesi i hetimit të jetë transparent dhe i pavarur, duke insistuar që njehsorët të mos analizohen nga institucionet apo palët që mund të jenë të përfshira në këtë çështje.

“Njehsorët duhet të merren dhe të hetohen në laboratorë të pavarur ndërkombëtarë ose vendorë të certifikuar, e jo nga ata që dyshohen për keqpërdorime. Vetëm kështu mund të sigurohet besimi i qytetarëve dhe një hetim i drejtë”.  ka përfunduar ai.

Ndryshe, kjo çështje ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa janë shtuar thirrjet për transparencë dhe përgjegjësi institucionale. /Lajmi.net/