“Po më rrezikohet jeta, nuk po më lejojnë të marrë bukë as ujë” – Deklarata e Arlinda Zekajt në Polici, kërkonte që familjarët e Jetonit t’ia lironin shtëpinë

Arlinda Zekaj u vra të dielën e 25 tetorit nga kunati i saj Albert Sylaj në shtëpinë e saj dhe të bashkëshortit në Vitomericë të Pejës. Para vrasjes së saj, Arlinda kishte pasur disa beteja ligjore dhe kishte kërkuar ndihmë disa herë radhazi nga Policia e Kosovës, shkruan lajmi.net. Në një video të siguruar nga…

Lajme

29/10/2026 14:00

Arlinda Zekaj u vra të dielën e 25 tetorit nga kunati i saj Albert Sylaj në shtëpinë e saj dhe të bashkëshortit në Vitomericë të Pejës.

Para vrasjes së saj, Arlinda kishte pasur disa beteja ligjore dhe kishte kërkuar ndihmë disa herë radhazi nga Policia e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Në një video të siguruar nga Klan Kosova, dëgjohet Arlinda Zekaj dhe dëshmia e saj tek Policia për familjen e bashkëshortit të saj Jeton Sylajt, nga të cilët tha se po ndihet e rrezikuar për jetë.

“Në shtëpi janë njerëz që nuk kanë vendim gjykate me jetu në atë shtëpi. Po ashtu, asnjëherë më parë nuk kanë jetuar këtu, por vetëm nga marrja e aktvendimit për udhër-mbrojtje. Unë jam bashkëpronare, këta ma kanë uzurpuar shtëpinë. Nuk munden të bashkjetojnë me mua as të jenë musafirë. Po më kërcënojnë, nuk po më lënë të jetoj as në kuzhinë me marrë bukë ose ujë, as tv me shiku plus me jetë po më kërcënon. Rryma u ndal, e ndalën rrymën, e panë edhe Policia kur erdhën me më marr”, ka thënë Arlinda.

Ajo ka treguar se në një rast, Jetoni i ka bërtitur asaj para Policisë por ata nuk e kanë arrestuar.

“Djalin nuk e ka lënë Jetoni, ish-bashkëshorti këtu në shtëpi dhe në prezencën e Policisë ka bërtitur, ka sharë dhe ju Policia nuk e keni arrestuar. Karakterin e dhunshëm të tij, Policia e ka parë kur nuk e la djalin të hyj brenda dhe kur refuzonte për të hyrë brenda, prandaj, nuk është qudi asgjë që familjarët e tij po bëjnë brenda kundër meje”, ka deklaruar Zekaj.

Ajo ka kërkuar nga familja e Jetonit t’ia lirojnë shtëpinë.

“Kërkoj që këta të ma lirojnë shtëpinë deri në përfundimin e çështjes ngase unë jam bashkëpronare dhe dua të kthehem sipas vendimit në shtëpi. Po ndihem e rrezikuar për jetë pas ndaljes së rrymës, kanosjes së gruas, plakës aty dhe të miturës, nuk dua të bie në nivelin e tyre për fyerje e fjalët që vazhdimisht i përdorën për kaq orë. Përfundimisht kërkoj të ma lirojnë shtëpinë e uzurpuar dhe të më ktheni në shtëpi sipas vendimit që e posedoj nga Gjykata”, ka shtuar ajo. /Lajmi.net/

Video: