“Po luajmë kundër gjenocidin”: Izraeli sulmon trajnerin e Irlandës para ndeshjes me Kosovën
Polemikat mes Irlandës dhe Izraelit kanë marrë përmasa të reja në prag të ndeshjes së Kosovës ndaj Irlandës në kuadër të Ligës së Kombeve, që zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në qendër të debatit është trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, i cili javën e kaluar, duke folur për përballjet e ardhshme…
Sport
Polemikat mes Irlandës dhe Izraelit kanë marrë përmasa të reja në prag të ndeshjes së Kosovës ndaj Irlandës në kuadër të Ligës së Kombeve, që zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në qendër të debatit është trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, i cili javën e kaluar, duke folur për përballjet e ardhshme të ekipit të tij me Izraelin, deklaroi se Irlanda “nuk po luan me gjenocidin, por kundër gjenocidit”, duke shtuar se skuadra e tij po luan kundër Izraelit dhe jo me të.
Këto deklarata kanë nxitur reagim të ashpër nga Federata e Futbollit të Izraelit, e cila e ka akuzuar trajnerin irlandez për “budallallëk, injorancë dhe hipokrizi”. Federata izraelite ka bërë të ditur gjithashtu se po shqyrton mundësinë e një ankese zyrtare në UEFA.
Polemika vjen vetëm dy ditë para përballjes Kosovë–Irlandë në Prishtinë. Irlanda do ta nisë edicionin e ri të Ligës së Kombeve ndaj Kosovës më 24 shtator, ndërsa më pas do të përballet me Izraelin më 27 shtator në Debrecen të Hungarisë.
Ndeshjet Irlandë–Izrael janë shoqëruar prej muajsh me tensione dhe protesta. Federata Irlandeze e Futbollit kishte kërkuar më herët që Izraeli të pezullohej nga garat evropiane, ndërsa UEFA ka mbrojtur vendimin për të mos i ndarë dy përfaqësueset në shortet e ardhshme.
Për shkak të situatës së tensionuar, të dyja ndeshjet e Irlandës ndaj Izraelit do të zhvillohen në terrene neutrale, ndërsa përballja e parë do të luhet në Hungari dhe tjetra në Serbi.
Në gjithë këtë klimë, Irlanda tani ka vëmendjen te Prishtina, ku të enjten do të përballet me Kosovën në ndeshjen hapëse të grupit. Trajneri Hallgrímsson pritet të dalë para mediave të mërkurën, një ditë para ndeshjes, dhe tema e deklaratave për Izraelin pritet të jetë ndër pyetjet kryesore.
Kosova dhe Irlanda janë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve, së bashku me Austrinë dhe Izraelin.