Po ikin nga varfëria, papunësia dhe kriza politike

Ambasadori i Austrisë në Prishtinë, Johan Bridger ka thënë se vala e madhe e azilkërkuesve nga Kosova, ka të bëjë me varfërinë dhe papunësinë e madhe, por edhe kriza politike ka ndikuar në disponimin e banorëve. 

Lajme

11/02/2015 13:10

Ai në një intervistë për gazetën austriake “Osterreich” , ka thënë se në bazë të këtij numri të madh të azilkërkuesve nga Kosova, gjërat nuk duhet edhe aq mirë.

“Aktualisht, në bazë të numrit të madh të kërkesave për marrjen e statusit për azil, mund të thuhet se në Kosovë nuk shkojnë punë edhe aq mirë. Disponimi është tejet negativ si shkak i krizës politike. Gjithashtu është bërë shumë pak në aspektin e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Bridger, transmeton lajmi.net.

Shtetasit kosovarë, sipas tij, po ikin nga varfëria papunësia, për të gjetur një të ardhme më të mirë diku tjetër.

Ai ka thënë se arsyet, mbi të gjitha për këtë migrim janë ekonomike dhe sociale.

“Përderisa gjatë vitit të kaluar kërkesat për azil nga qytetarët e Kosovës kanë arritur në 1.901 sosh, mund të themi se numri i tyre është shumëfishuar, pasi që vetëm gjatë muaji janar të këtij viti, numri i tyre ka arritur në 1.029”.

“Në javën e parë të shkurtit, 558 persona kanë bërë kërkesë për azil në Austri, që i bije sa ka rritje prej 1.550 për qind nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar”.

Mirëpo, sipas ambasadorit austriak, shteti i tij duhet t’i refuzojë pothuajse të gjithë, pasi që Kosova tashme është pjesë e “shteteve të sigurta”. (lajmi.net)