“Po de që dy vjet s’kemi qeveri, pse me e lanë?” – e reja nga Obiliqi thotë se u përjashtua nga Kuvendi i të Rinjve pas komentit në Kuvend

Një koment i bërë spontanisht në Kuvendin e Kosovës i ka kushtuar përjashtimin nga aktivitetet e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës një të reje nga Obiliqi, Olsa Sadiku. Sadiku ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se gjithçka nisi më 12 gusht, në Ditën e Rinisë, kur ajo ishte ftuar në…

Lajme

18/08/2026 15:54

Një koment i bërë spontanisht në Kuvendin e Kosovës i ka kushtuar përjashtimin nga aktivitetet e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës një të reje nga Obiliqi, Olsa Sadiku.

Sadiku ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se gjithçka nisi më 12 gusht, në Ditën e Rinisë, kur ajo ishte ftuar në Kuvendin e Kosovës si njëra nga përfaqësueset e të rinjve nga Obiliqi.

Sipas saj, gjatë aktivitetit, në sallë hyri Partia Demokratike e Kosovës, e cila kishte thirrur seancë, ndërsa në Kuvend nisën përplasjet mes deputetëve të PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Në atë moment, Sadiku thotë se kishte shprehur spontanisht mendimin e saj, duke thënë: “Po de që dy vjet s’kemi qeveri, pse me e lanë?”.

Ajo thotë se kjo fjali, e cila më pas u bë publike edhe përmes raportimeve mediale, i ka kushtuar me ndërprerjen e bashkëpunimit me Kuvendin e të Rinjve të Kosovës.

“‘Po de që dy vjet s’kemi qeveri, pse me e lanë?’, kjo ishte fjalia që më kushtoi”, ka shkruar Sadiku.

Ajo ka sqaruar se nuk është pjesë e asnjë partie politike dhe se deklarata e saj nuk kishte për qëllim të përfaqësonte PDK-në, Vetëvendosjen apo ndonjë subjekt tjetër politik.

“Nuk fola në emër të PDK-së, të VV-së, të LDK-së apo të asnjë subjekti tjetër. Nuk jam pjesë e asnjë partie dhe nuk përfaqësoj asnjë subjekt politik. Isha aty si përfaqësuese e të rinjve nga Obiliqi”, ka deklaruar ajo.

Sadiku pretendon se pas publikimit të videos së momentit, asaj i është ndërprerë bashkëpunimi me Kuvendin e të Rinjve të Kosovës, pjesëmarrja në aktivitetet e tij, si dhe përfshirja në procesin e formimit të Kuvendit të të Rinjve në Obiliq.

Ajo ka ngritur pyetjen nëse të rinjtë, duke qenë pjesë e një aktiviteti rinor, u gjendën në një situatë ku mund të ishin përdorur edhe politikisht.

“Nëse ne të rinjtë ishim aty në një aktivitet rinor dhe u gjendëm në mes të një situate të krijuar nga një zhvillim politik brenda Kuvendit, a nuk shtrohet edhe pyetja nëse u përdorëm edhe ne në një mënyrë politike?”, ka shkruar ajo.

Sipas Sadikut, shqetësimi i saj nuk lidhet vetëm me vendimin ndaj saj, por me parimin që qëndron pas tij.

Ajo thotë se në vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit thuhet se nuk bëhet fjalë për masë disiplinore dhe se vendimi nuk bazohet në pretendimin se ajo ka shkelur ndonjë dispozitë statutore apo rregullative.

Megjithatë, ajo pretendon se një deklaratë e bërë gjatë një situate politike është përdorur si arsye për ndërprerjen e përfshirjes së saj në aktivitetet rinore.

“Ku qëndron kufiri mes apolitizmit institucional dhe të drejtës së një të riu për të pasur zë e mendim të vetin?”, ka pyetur ajo.

Sadiku ka theksuar se, sipas saj, një organizatë mund të jetë apolitike, ndërsa kjo nuk duhet të nënkuptojë heshtjen politike të individëve.

“Unë besoj fuqishëm se apolitizmi i një organizate nuk duhet të nënkuptojë heshtjen politike të individit. Mund të mos përfaqësosh asnjë parti dhe prapë të kesh mendim, qëndrim dhe zë”, ka shkruar ajo.

Në fund, Sadiku ka thënë se pavarësisht këtij vendimi, do të vazhdojë të angazhohet për të rinjtë e Obiliqit.

“Pjesëmarrja rinore nuk duhet të kushtëzohet me heshtje”, ka përfunduar ajo. /Lajmi.net/