“Po angazhohemi për integrim në BE e NATO” – Basha në cilësinë e kryetarit të Kuvendit takon ambasadorin e Britanisë, Hargreaves

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale politike dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Kryetari Basha shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen historike dhe të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke…

Lajme

04/09/2025 15:55

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale politike dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Kryetari Basha shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen historike dhe të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke vlerësuar kontributin e saj gjatë luftës dhe rolin aktiv në ndërtimin e shtetit, forcimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit, raporton lajmi.net

Gjatë takimit, ai e informoi ambasadorin Hargreaves mbi zhvillimet e fundit në Kuvend, me fokus të veçantë në procesin e seancës konstituive dhe përkushtimin për funksionim të plotë institucional.

Të dy palët diskutuan gjithashtu për reformat demokratike në vend dhe rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes ndërkombëtare. Kryetari Basha theksoi angazhimin e institucioneve të Kosovës për të garantuar të drejtat e të gjithë qytetarëve, si dhe synimin e qartë të vendit për integrim në Bashkimin Evropian dhe anëtarësim në NATO.

Ambasadori Hargreaves, nga ana e tij, e uroi kryetarin Basha për marrjen e detyrës dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të forcuar bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe për të mbështetur rrugën euroatlantike të vendit.

Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi të ndërsjellë dhe ridëshmoi partneritetin e fortë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar./Lajmi.net/