“Po amnistoni mafinë e betonit me Ligjin që sollët në Kuvend”- Përplasjet e vjetra mes Liburn Aliut dhe Dimal Bashës
Zgjedhja e Dimal Bashës kryetar i Kuvendit u pasua me dorëheqjen e menjëhershme të Liburn Aliut nga posti i ministrit në detyrë të Infrastrukturës. Kjo ngjarje riktheu në vëmendje përplasjet e disa viteve më parë mes dy figurave të Lëvizjes Vetëvendosje, ndër më të rëndësishmen, atë të mbajtur në seancën parlamentare të 8 dhjetorit 2022.…

Lajme
Zgjedhja e Dimal Bashës kryetar i Kuvendit u pasua me dorëheqjen e menjëhershme të Liburn Aliut nga posti i ministrit në detyrë të Infrastrukturës.
Kjo ngjarje riktheu në vëmendje përplasjet e disa viteve më parë mes dy figurave të Lëvizjes Vetëvendosje, ndër më të rëndësishmen, atë të mbajtur në seancën parlamentare të 8 dhjetorit 2022.
Gjatë asaj seance, Basha e kishte kritikuar ashpër Aliun, duke e akuzuar se po mbronte interesat e asaj që e quante “mafia e betonit”, në lidhje me projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
“Puna kryesore e këtij ligji, unë mendoj që ky ligj e bën amnistimin e atyre keqpërdoruesve që shpesh herë janë quajtur ‘mafia e betonit’, por gjithashtu amnistimi i zyrtarëve publik që kanë lejuar degradim. Krejt ata investitor që se kanë respektu asnjë kriter por kanë betonuar dhe nuk kemi asnjë centimetër hapësirë të gjelbër, ata jo vetëm që nuk dënohen por legalizohen dhe inkurajohen që të vazhdojnë. Pse me marr leje në ndërtim e me pagu pesë euro kur ndërton me leje, po duke qenë me ndërtu pa leje dhe me shku me legalizu me dy euro”, ka thënë Basha.
“Tash ky ligj ndryshohet edhe i ndërrohet edhe hyrja në fuqi. Që ta zëmë, ky ligj hyn në fuqi në mars 2023, legalizohen të gjitha ndërtimet deri në mars 2023. Pra, e bëjmë legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje, sidomos ndërtesat”, u shpreh basha.
Deputeti pati kritika të ashpra edhe në lidhje me çmimet, duke thënë se 500 metra katrorë do të legalizoheshin për 4 mijë euro.
“Cili është interesi që një ndërtimtar ta legalizojë ndërtesën? Mendoj që qikjo s’është parimore, dhe kjo s’duhet me shku përpara. Puna kryesore e këtij ligji, mendoj unë është se e bën amnistimin e këtyre keqpërdoruesve që ndonjëherë janë quajtur edhe “mafi e betonit”. Këta jo që nuk dënohen por legalizohen”, tha Basha.
Basha gjithashtu kishte vënë theksin te përgjegjësia e investitorëve dhe jo e qytetarëve që kishin blerë banesa në objekte pa leje.
“Ligji thotë që qytetarët të aplikojnë për legalizim, por ata i kanë blerë ato banesa. Është investitori që duhet të mbahet përgjegjës. Duhet ndjekur ligjërisht dhe t’i kërkohet llogari për vlerën e shitjes”, kishte shtuar ai.
Përballë këtyre kritikave, Aliu kishte reaguar duke sqaruar se qëndrimi i tij kishte qenë i njëjtë qysh nga fillimi, duke theksuar kompleksitetin e situatës me ndërtimet pa leje në Kosovë.
“Po fillojmë me çështjen ‘a ka ndryshu Liburni?’. Ky ligj në leximin e parë është votuar nga LVV-ja, në leximin e dytë as LVV-ja dhe as LDK-ja për arsye se e kemi bojkotu PAN-in nuk e kemi votu. Qëndrimi politik ka qenë pro ligjit asokohe, pra fjalimin tim nuk e dëgjove deri në fund. Thuaje realisht se qysh ka qenë votimi…për sa i përket fjalimit tim, atë ditë e kam thënë shumë qartë dhe po e përsëris edhe sot: ‘Projektligji është i padrejtë sepse legalizon ndërtimet pa leje, projektligji diskriminon atë që ka ndërtu me leje në krahasim me ato pa leje, por ama është i domosdoshëm sepse 75 për qind e ndërtimeve ekzistuese në Kosovë janë pa leje dhe s’mund t’i injorosh ato…”, kishte thënë Aliu.