Plas skandali në ShBA: Ish-kryeprokurori i Speciales, Jack Smith përgjoi komunikimet private të disa senatorëve
Ish-prokurori i posaçëm Jack Smith, sipas raportimeve, ka ndjekur komunikimet private dhe telefonatat e pothuajse një duzine senatorësh republikanë si pjesë e hetimit të tij për trazirat e 6 janarit 2021 në Capitol, mëson “Fox News Digital”. Jack Smith ka qenë Kryeprokuror në Gjykatën Speciale e që ngriti një aktakuzë kontroverse kundër krerëve të UÇK-së.…

Bota
Ish-prokurori i posaçëm Jack Smith, sipas raportimeve, ka ndjekur komunikimet private dhe telefonatat e pothuajse një duzine senatorësh republikanë si pjesë e hetimit të tij për trazirat e 6 janarit 2021 në Capitol, mëson “Fox News Digital”.
Jack Smith ka qenë Kryeprokuror në Gjykatën Speciale e që ngriti një aktakuzë kontroverse kundër krerëve të UÇK-së. Ai u akuzua për qasje politike, marrje të provave nga Serbia dhe bashkëpunim me dëshmitarë të infiltruar nga Serbia.
Një dokument, i shqyrtuar nga “Fox News Digital”, zbulon se Smith dhe ekipi i tij “Arctic Frost”, që heton ngjarjet e 6 janarit, dyshohet se kanë ndjekur telefonatat e senatorëve republikanë Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, Marsha Blackburn nga Tenesi, Ron Johnson nga Uiskonsini, Josh Hawley nga Misuri, Cynthia Lummis nga Vajoming, Bill Hagerty nga Tenesi, Dan Sullivan nga Alaska, Tommy Tuberville nga Alabama dhe të kongresistit republikan Mike Kelly nga Pensilvania.

Dokumenti, i zbuluar së fundmi nga drejtori i FBI-së, Kash Patel, dhe i siguruar ekskluzivisht nga “Fox News Digital”, mban titullin “CAST Assistance” dhe daton më 27 shtator 2023. “CAST” i referohet ekipit të analizës celulare të FBI-së (“Cellular Analysis Survey Team”).
Dokumenti, në të cilin janë fshirë emrat e agjentëve të përfshirë, ka të shënuar numrin e rastit si “ARCTIC FROST—Election Law Matters—SENSITIVE INVESTIGATIVE MATTER—CAST.”
Në të thuhet se një agjent special i FBI-së, pjesë e ekipit të Smith-it, “ka kryer një analizë paraprake të të dhënave telefonike” që lidhen me këta ligjvënës.
Një zyrtar i FBI-së i tha “Fox News Digital” se Smith dhe ekipi i tij, gjatë ndjekjes së senatorëve, kanë qenë në gjendje të shohin cilat numra janë telefonuar, vendndodhjen e origjinës së telefonatës dhe vendin ku ajo është pranuar, transmeton voxkosova.
Një burim tha se këto telefonata, me shumë gjasë, lidhen me votimin për certifikimin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Një zyrtar tjetër shtoi se regjistrimet janë mbledhur në vitin 2023 nga Smith dhe ekipi i tij, pasi kanë thirrur me urdhër gjykate kompanitë e mëdha telefonike.
Operacioni “Arctic Frost” u hap brenda FBI-së më 13 prill 2022, ndërsa Smith u emërua si prokuror i posaçëm për të marrë drejtimin e hetimit në nëntor 2022.
“Fox News Digital” mëson se zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino, do t’i informojë ligjvënësit për zbulimin e përgjimeve të Smith-it të hënën pasdite në Kapitol Hill.
“Populli amerikan meriton të vërtetën, dhe nën drejtimin tim, ata do ta kenë atë,” tha Kash Patel për “Fox News Digital”.
“Ne kemi premtuar llogaridhënie për ata që e kanë përdorur politikisht sistemin e drejtësisë, dhe do ta përmbushim këtë.”
Patel shtoi: “Nën mbikëqyrjen tonë, FBI nuk do të përdoret më kurrë kundër popullit amerikan.”
Pas muajsh hetimesh, Smith ngriti akuza kundër presidentit Donald Trump në Gjykatën Federale të Uashingtonit, D.C., në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020, por pasi Trump u rizgjodh president, Smith kërkoi të pushonte çështjen. Gjyqtarja Tanya Chutkan e miratoi kërkesën.
Rasti i Smith-it i kushtoi taksapaguesve amerikanë më shumë se 50 milionë dollarë, transmeton Fox News.