Plani i Prokurorit të Shtetit për këtë vit: Vëmendje e veçantë sekuestrimit të aseteve përmes luftimit të korrupsionit
Efikasiteti në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale, llogaridhënia dhe performanca, transparenca dhe komunikimi me publikun, si dhe bashkëpunimi me akterët e sundimit të ligjit janë objektivat e planit të punës të Prokurorit të Shtetit për vitin 2025. Sistemi prokurorial thotë se mbetet “i përkushtuar për ngritjen e efikasitetit në hetimin e veprave penale dhe…

Lajme
Efikasiteti në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale, llogaridhënia dhe performanca, transparenca dhe komunikimi me publikun, si dhe bashkëpunimi me akterët e sundimit të ligjit janë objektivat e planit të punës të Prokurorit të Shtetit për vitin 2025.
Sistemi prokurorial thotë se mbetet “i përkushtuar për ngritjen e efikasitetit në hetimin e veprave penale dhe zbulimin e kryerësve të veprave penale, përmirësimin e procedurave hetimore, marrjen e vendimeve të drejta dhe efikase, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”.
Sipas planit të punës për këtë vit, i cili u publikua sot, Prokurori i Shtetit “do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë sekuestrimit në funksion të konfskimit përfundimtar dhe rikthimit të aseteve”
Për gjysmën e parë të vitit, parashihet angazhimi i prokurorëve në identifikimin e aseteve për sekuestrim. Deri në qershor është paraparë që Prokurori i Shtetit t’i ketë raportet e përgatitura për fushën e sekustrimit.
Nga korriku e deri në fund të vitit, sipas planit, do të dihet numri i kërkesave për sekuestrim dhe vlera e tyre. Në këtë periudhë planifikohet të bëhet zbatimi i protokolleve për sekuestrim dhe konfiskim.
Prokurori i Shtetit thotë se do ta bëjë zbatimin e këtij objektivi përmes rritjes së efikasitetit në luftimin e veprave penale të rëndësisë së veçantë si korrupsioni dhe krimet ekonomike, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave, veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë, krimet e luftës, veprat penale kundër dhunës në baza gjinore, dhunës në familje, etj.
Gjithashtu, Prokurori i Shtetit planifikon aplikimin e institutit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Objektivat dhe nënobjektivat e këtij plani, sipas Prokurorit të Shtetit janë “të matshme dhe të arritshme dhe do të realizohen me aktivitete dhe masa konkrete sipas afateve të caktuara”. Monitorimi lidhur me zbatimin e objektivave dhe aktiviteteve të planit të punës do të bazohen në dy periudha raportuese: janar-qershor dhe korrik-dhjetor 2025.