Plagosja mbrëmë në Prishtinë- Prokuroria thotë se gjeti armë e fishekë edhe në veturën e viktimës, i dyshuari në arrati
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dhënë detaje në lidhje me të shtënat me armë zjarri që kanë ndodhur dje rreth orës 23:30 në rrugën “Feriz Guri” në Prishtinë, si pasojë e të cilave një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Prokuroria ka thënë se menjëherë pas pranimit të…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dhënë detaje në lidhje me të shtënat me armë zjarri që kanë ndodhur dje rreth orës 23:30 në rrugën “Feriz Guri” në Prishtinë, si pasojë e të cilave një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
Prokuroria ka thënë se menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet përkatëse kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, si dhe sigurimin e provave materiale në vendin e ngjarjes.
“Gjatë veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, dyshohet se personi me inicialet N.B., ka kryer veprën penale ‘’Vrasje në tentativë’’, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është kryer bastisja nga Policia e Kosovës, ku aty është gjetur një armë e gjatë, shtatë (7) gëzhoja dhe trembëdhjetë (13) fishekë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale gjatë zhvillimit të procedurës hetimore”. ka njoftuar Prokuroria.
Ata kanë thënë se gjatë ekzaminimeve përkatëse, nga njësitet relevante, është konstatuar se në automjetin e viktimës, Sh.K. është gjetur dhe sekuestruar një (1) armë dhe dymbëdhjetë (12) fishekë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe arrestimin e personit të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Në lidhje me rastin, sot përmes raportit 24 orësh, detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës.
“Prishtinë 16.06.2026-23:21. Raportohet se të dyshuar të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së viktimës mashkull kosovar. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 7 gëzhoja. Me urdhër të prokurorit është bastisur shtëpia e një të dyshuari ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë me një karikator me 13 fishekë. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar Policia. /Lajmi.net/