Plagosja e mbrëmshme në Klinë, nëna e katër viktimave thotë se konflikti ka filluar për një lopë

Një incident ka ndodhur mbrëmë në Klinë ku për pasojë katër persona janë plagosur dhe po trajtohen në Spitalin Rajonal të Pejës. Në lidhje me rastin, Policia dhe Prokuroria e Pejës kanë njoftuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar. Katër viktimat e rastit, vijnë nga e njëjta familje dhe janë vëllezër, shkruan lajmi.net. Nëna…

Lajme

24/02/2025 13:25

Një incident ka ndodhur mbrëmë në Klinë ku për pasojë katër persona janë plagosur dhe po trajtohen në Spitalin Rajonal të Pejës.

Në lidhje me rastin, Policia dhe Prokuroria e Pejës kanë njoftuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Katër viktimat e rastit, vijnë nga e njëjta familje dhe janë vëllezër, shkruan lajmi.net.

Nëna e tyre në një intervistë për Tëvë1, ka thënë se ky incident është shkaktuar pasi njëri nga djemtë e saj ia kishte goditur me veturë një lopë dhe ia kishte lënduar këmbën.

Ajo ka thënë se ndonëse ia kanë dhënë një lopë të tyre, dhe kanë konsideruar se janë pajtuar kjo siç duket nuk doli ashtu.

“E kemi pas qat problem moti, djalit pahiri i ka dal lopa djali s’ka dashtë me i ra po i ka dal lopa. Veç kamën ja ka lëndu, ia ka thy kanë dashtë djalin me ma rreh me ma myt. Ia kena dhënë lopën për lopë, lopën e vetë e kanë hangër edhe temën ja kam dhanë veç me pajtu sene, jena pajtu çka u ba kjo punë nuk e di”, ka thënë ajo.

Nëna të cilës katër djemtë e saj po trajtohen në spital, ka treguar vështirësitë që kishte për t’i rritur fëmijët.

“Unë nuk di çka me tregu ma, nuk kam koment. Zotit i tutna, Allahu din çka bahet e ia ktheftë ai prej së nalti. Nuk kam koment më, nuk kam takat se jam nanë, I kam rrit me gazep e me skamje e me mi marr për një sekond me m’i vra 4 djem e me metë 6 jetima nuk di çka thamë tjetër sen. Masi ka ndodh rasti jena pajtu e nuk kemi pas problem, e ka kah ardh ky problem unë nuk di”, ka thënë ajo duke treguar se njëri nga djemtë e saj e ka një djalë 2 muajsh.