Plagosen 6 shtetas të Shqipërisë, luftëtarë të ISIS
Gjashtë shqiptarë, të cilët kanë luftuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS, kanë mbetur të plagosur. Po kurohen në Shqipëri, Itali e Greqi.

Lajme
Identitetet e tyre mbahen sekret për arsye hetimore. Por Lapsi.al ka mësuar se njëri prej tyre po kurohet në spitalin e Kavajës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje të rëndë është personi që po kurohet në Greqi. Ai gjendet në spitalin e Larisas në Greqi, në reanimacion, pasi ka marrë një plumb në nofull dhe një tjetër në trup. Të 6 të plagosurit ruhen nga autoritetet dhe mësohet se ata mund të arrestohen.
Ndryshimet e fundit në kodin penal parashikojnë se pjesëmarrja në luftime jashtë vendit është vepër penale. Gjashtë shqiptarët e plagosur i janë bashkuar organizatës terroriste për herë të parë në vitin 2013. Gjatë kësaj kohe, autoritetet kanë konstatuar se ata kanë hyrë në Shqipëri dhe janë rikthyer në Siri për të luftuar përkrah ISIS.
Numri i shqiptarëve që besohet të jenë rekrutuar nga xhihadistët e ISIS mendohet të jetë rreth 100.
Tetë persona u arrestuan në mars të këtij viti, përfshirë dy imamët e xhamisë së Mzezit dhe Unazës së Re, nën akuzën se kanë rekrutuar qytetarë shqiptarë për t’i dërguar që të luftojnë përkrah ISIS.
Në Kosovë, pak javë më parë, u arrestuan 43 persona të tjerë, pjesëmarrës në luftime dhe rekrutues. Ndërsa dy ditë më parë, një televizion kurd njoftoi për vrasjen e kosovarit Lavdrim Muhaxheri, i cili konsiderohet si një ndër krerët e grupit shqiptar që lufton në Siri dhe që pak kohë më parë tronditi mbarë opinionin publik, me publikimin e disa fotove ku ai shfaqej duke i prerë kokën një 19 –vjeçari nga Iraku.