Pjesëtarët e FSK-së trajnojnë ushtarët e Ukrainës në Britani të Madhe

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur se me kapacitetet e saj është duke dhënë kontribut në operacionin “Interflex” në Britani të Madhe. FSK thekson se kjo po bëhet në mbështetje për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina duke ndihmuar kështu në stërvitjen e përbashkët me partnerët për t`u përballur me agresionin rus…

Lajme

30/10/2025 19:25

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur se me kapacitetet e saj është duke dhënë kontribut në operacionin “Interflex” në Britani të Madhe.

FSK thekson se kjo po bëhet në mbështetje për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina duke ndihmuar kështu në stërvitjen e përbashkët me partnerët për t`u përballur me agresionin rus në Ukrainë.

“FSK është duke operuar me kontingjentin e katërt që nga fillimi i pjesëmarrjes në operacionin ‘Interflex’, ku i është bashkangjitur kompaninë Echo (e udhëhequr nga njësia nga Zelanda e Re). Kjo kompani përbëhet nga 4 njësi nga shtete të ndryshme (Zelanda e Re, Kosova, Estonia dhe Lituania)”, thuhet në njoftim.

Kontingjenti i FSK-së është duke kryer detyrat e planifikimit, përgatitjet e nevojshme logjistike dhe ekzekutimi i kurseve pesëjavore për forcat ukrainase.

Në fund theksohet se misioni dhe qëllimi kontigjentin e FSK-së është përgatitja e pjesëtarëve të forcave ukrainase për udhëheqës të skuadrës, taktikat e luftimit nga niveli individual deri në nivelin e skuadrës si: patrullat, operacionet sulmuese dhe mbrojtëse, Procedura e Udhëheqjes së Trupave(PUT), lidership, komandë-kontroll, përdorimi i dronëve të llojeve të ndryshme, si dhe qitje taktike.