Pishina e Gërmisë rifillon punën – Uji brenda standardeve, Komuna e Prishtinës kritikon alarmet e parakohshme
Komuna e Prishtinës ka njoftuar sot se Pishina e Gërmisë është rihapur për qytetarët, pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) se cilësia e ujit është brenda standardeve të përcaktuara me rregullore. Më 24 korrik, pas rezultateve preliminare të disa mostrave të ujit dhe para përfundimit të analizave të plota laboratorike,…

Lajme
Komuna e Prishtinës ka njoftuar sot se Pishina e Gërmisë është rihapur për qytetarët, pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) se cilësia e ujit është brenda standardeve të përcaktuara me rregullore.
Më 24 korrik, pas rezultateve preliminare të disa mostrave të ujit dhe para përfundimit të analizave të plota laboratorike, IKSHPK kishte kërkuar mbylljen e përkohshme të pishinës si masë paraprake.
Mirëpo, më 25 korrik, IKSHPK finalizoi analizat e mostrave të marra më 23 korrik dhe konfirmoi se uji është i sigurt dhe i përshtatshëm për përdorim, duke lejuar rihapjen e menjëhershme të pishinës për publikun.
Komuna e Prishtinës, në një komunikatë zyrtare, ka shprehur shqetësim për njoftimet publike të parakohshme, të cilat – sipas tyre – krijuan konfuzion dhe panik te qytetarët, ndonëse analizat përfundimtare ende nuk ishin përmbyllur.
“Apelojmë që në të ardhmen çdo komunikim që prek drejtpërdrejt qytetarët të bazohet vetëm në rezultate zyrtare dhe përfundimtare nga institucionet përgjegjëse,” thuhet në reagimin e Komunës.
Komuna fton qytetarët të vazhdojnë të frekuentojnë ambientet rekreative të Gërmisë dhe siguron se bashkë me NPL “Sport Marketing” SH.A., mbeten të përkushtuara ndaj transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit publik.
Komunikata e plotë nga komuna e Prishtinës:
Kryeqyteti njofton opinionin publik se më 24 korrik 2025, në bazë të rezultateve preliminare të disa mostrave të ujit të marra në Pishinën e Gërmisë, dhe përpara përfundimit të analizave të plota laboratorike, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka kërkuar mbylljen e përkohshme të pishinës.
Sot, më 25 korrik 2025, IKSHPK ka përfunduar analizat përfundimtare të mostrave të datës 23 korrik 2025, dhe rezultatet kanë konfirmuar se cilësia e ujit të pishinës së Gërmisë është brenda standardeve të përcaktuara sipas rregullores për cilësinë e ujit në pishina. Bazuar në këto rezultate, IKSHPK ka dhënë leje për rihapjen e pishinës.
Kryeqyteti shpreh shqetësimin për komunikimet publike të parakohshme, të cilat krijuan alarm dhe konfuzitet në opinion, në një kohë kur analizat zyrtare ende nuk ishin finalizuar. Apelojmë që në të ardhmen çdo komunikim që prek drejtpërdrejt qytetarët të bazohet vetëm në rezultate zyrtare dhe përfundimtare nga institucionet përgjegjëse.
Qytetarët ftohen të shfrytëzojnë hapësirat e Gërmisë, me garancinë se Kryeqyteti dhe Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing” SH.A. mbeten të përkushtuara ndaj transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit publik./lajmi.net/