PISA 2025, Kosova mbetet në fund të tabelës: Vetëm një pjesë e vogël e nxënësve arrijnë nivelin bazë

Rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025 tregojnë se performanca e nxënësve të Kosovës ka pësuar pak ndryshime krahasuar me vitin 2022, por rezultatet vazhdojnë të mbeten dukshëm nën mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Në edicionin e sivjetmë të PISA-s morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës.…

Lajme

08/09/2026 11:13

Rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025 tregojnë se performanca e nxënësve të Kosovës ka pësuar pak ndryshime krahasuar me vitin 2022, por rezultatet vazhdojnë të mbeten dukshëm nën mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Në edicionin e sivjetmë të PISA-s morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Testimi është zhvilluar nga 10 deri më 30 maj të vitit 2025 shkruan lajmi.net.

Në shkencë, nxënësit kosovarë kanë shënuar mesatarisht 357 pikë, rezultat i njëjtë me vitin 2022. Në lexim janë regjistruar 340 pikë, vetëm dy pikë më pak se në testimin e vitit 2022, kur rezultati ishte 342 pikë.

Rënia më e dukshme është në matematikë, ku nxënësit kanë shënuar 350 pikë, pesë pikë më pak krahasuar me vitin 2022.

Rezultati më i lartë është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me 359 pikë. Megjithatë, edhe rezultatet në këtë fushë, sikurse në shkencë, lexim dhe matematikë, mbeten nën mesataren e vendeve të OECD-së.

Një dallim i dukshëm në rezultatet e PISA 2025 vërehet edhe ndërmjet vajzave dhe djemve.

Në shkencë, vajzat kanë shënuar 366 pikë, ndërsa djemtë 347, me një diferencë prej 19 pikësh. Diferenca është edhe më e madhe në lexim, ku vajzat kanë arritur 358 pikë, krahasuar me 322 pikë të djemve, ose 36 pikë më shumë.

Në matematikë, rezultatet janë pothuajse të njëjta. Vajzat kanë shënuar 351 pikë, ndërsa djemtë 350 pikë.

Një prej të dhënave më shqetësuese të raportit lidhet me numrin e nxënësve që arrijnë të paktën nivelin bazë të aftësive.

Vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur Nivelin 2 në shkencë, ndërsa në matematikë këtë nivel e kanë arritur vetëm 15 për qind e nxënësve. Në lexim, përqindja është rreth 16 për qind.

Në të njëjtën kohë, numri i nxënësve që arrijnë nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i vogël.

Sipas gjetjeve të PISA-s, kjo situatë kërkon një qasje të dyfishtë në sistemin arsimor: mbështetje më të madhe për nxënësit me rezultate të ulëta, por edhe programe të veçanta për nxënësit me performancë të lartë, në mënyrë që të identifikohet dhe zhvillohet potenciali i tyre.

Problem tjetër i evidentuar është vijueshmëria në shkollë.

Rreth 54 për qind e nxënësve kanë deklaruar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testimit, ndërsa 56 për qind kanë raportuar se kanë munguar së paku në një orë mësimore.

Sipas raportit, këto të dhëna tregojnë nevojën për mekanizma më të mirë të monitorimit të vijueshmërisë dhe për bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet shkollave, prindërve dhe nxënësve.

Gjetjet e PISA 2025 nënvizojnë nevojën që në Kosovë të forcohet mësimi bazë në matematikë, shkencë dhe lexim, me fokus të veçantë te nxënësit që nuk arrijnë Nivelin 2 të aftësive.

Po ashtu, rekomandohet që mësimdhënia të jetë më e orientuar drejt zgjidhjes së problemeve, situatave reale, mendimit kritik dhe aplikimit praktik të njohurive.

Raporti kërkon edhe forcimin e zhvillimit profesional të mësimdhënësve, veçanërisht në pedagogjinë e orientuar drejt kompetencave, vlerësimin formativ, diferencimin e mësimit dhe menaxhimin e klasës.

Në mesin e rekomandimeve është edhe përdorimi më efektiv i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, jo vetëm si mjete teknike, por për kërkim, analizë, verifikim dhe krijim të pavarur të njohurive.

Institucionet rekomandohen gjithashtu të punojnë në përmirësimin e klimës së të nxënit, forcimin e disiplinës pozitive dhe krijimin e klasave më të qeta e gjithëpërfshirëse.

Në fokus duhet të jetë edhe monitorimi i vijueshmërisë së nxënësve dhe ndërmarrja e masave të hershme për ata që kanë mungesa të shpeshta.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se do t’i analizojë të gjitha gjetjet dhe të dhënat e PISA 2025, ndërsa raporti pritet të shërbejë si referencë për ndërhyrjet sistematike, metodologjike dhe pedagogjike në arsimin e Kosovës.

Gjetjet e reja pritet të merren parasysh edhe gjatë hartimit të Strategjisë së re të Arsimit. /Lajmi.net/