Pique ishte i përfshirë në bartjen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite

Pique së bashku me presidentin e Federatës së Futbollit spanjoll Luis Rubiales janë të përfshirë në bartjen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.

Sport

18/04/2022 12:17

Gerard Pique është në probleme serioze dhe mund të përballet me ligjin në këto ditë, për shkak të një përgjimi të zbuluar së fundmi.

‘El Confidencial’ ka arritur të sigurojë një përgjim telefonik mes presidentit të Federatës së Futbollit spanjoll, Luis Rubiales dhe kapitenit të Barcelonës, transmeton lajmi.net.

Pique kishte ndihmuar Rubiales të siguronte marrëveshjen për transferim të Superkupës e Spanjës në Arabinë Saudite .

Presidenti i Federatës së futbollit spanjoll dhe ai i ‘Kosmos’ arritën marrëveshjen për të organizuar Kupën e Spanjës në Arabi, nga e cila marrëveshje kompania e yllit të Barcelonës, Kosmos merr katër milionë për secilin nga gjashtë vitet e nënshkruara, pra gjithsej 24 milionë euro.

Në këto përgjime, mes dyshes diskutohet edhe ndarja e shpërblimit në para për Real Madridin dhe Barcelonën.

“Barcelona e Reali të marrin nga 8 milionë, për të tjerat mjafton 1 apo 2 milionë” dëgjohet Pique në një audio-inçizim.

Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se cili do të jetë ndëshkimi për Piquen dhe Rubiales./Lajmi.net/