PIPS: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA, të testuara seriozisht

Marrëdhëniet e Kosovës me aleatin e saj kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2024, kanë qenë të testuara seriozisht dhe kanë pasur mungesë të koordinimit politik dhe si rrjedhojë e kësaj, tensionet diplomatike kanë qenë gjithmonë të pranishme, është thënë të mërkurën në prezantimin e raportit vjetor “Vjetari i politikës së jashtme…

Lajme

01/10/2025 13:42

Marrëdhëniet e Kosovës me aleatin e saj kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2024, kanë qenë të testuara seriozisht dhe kanë pasur mungesë të koordinimit politik dhe si rrjedhojë e kësaj, tensionet diplomatike kanë qenë gjithmonë të pranishme, është thënë të mërkurën në prezantimin e raportit vjetor “Vjetari i politikës së jashtme të Kosovës 2024–2025: Sfidat dhe rruga përpara”, nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Gjatë prezantimit të këtij raporti, hulumtuesi në Institutin e Prishtinës për Studime Politike, Jon Krasniqi, ka thënë se testimi i marrëdhënieve dhe moskoordinimi politik mes Kosovës dhe SHBA-së, kanë ndodhur si pasojë e vendimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës në raport me veriun dhe në përgjithësi në raport me dialogun më Serbinë.

 

Përkitazi më këtë, Krasniqi ka thënë se moscaktimi i një ambasadori të ri të SHBA-së në Kosovë pas përfundimit të mandatit të Jeff Hovenier, sipas tij mund të interpretohet si shenjë e reduktimit të prioriteteve.

“Me aleatin kryesor strategjik që janë Shteteve Bashkuara të Amerikës në vitin 2024, marrëdhëniet Kosovë-SHBA kanë qenë të testuara seriozisht dhe kanë pasur një mungesë të koordinimit politik. Kjo ka ardhur më së shumti nga vendimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në raport me veriun, por gjithashtu më raport me dialogun me Serbinë…Tensionet diplomatike kanë qenë gjithmonë të pranishme dhe janë theksuar nonstop kritika të vazhdueshme të zyrtarëve amerikanë dhe nga Washingtoni…Gjatë vitit, pas përfundimit të mandatit të ish-ambasadorit Hovenier, administrata e re ende nuk e ka caktuar një ambasador të ri në Kosovë. Kjo mund të interpretohet si shenjë e reduktimit të prioriteteve në një kohë të ndjeshme të SHBA-ve jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kosova rrezikon marrëdhënien me partnerin e saj strategjik”, ka thënë Krasniqi.

 

Lidhur me marrëdhëniet me Gjermaninë, Krasniqi, ka potencuar se ky shtet ka pasur një mbështetje konstante të Kosovës rreth integrimit të saj euroatlantik. Sipas Krasniqit, marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuara kanë qenë më shumë të fokusuara në sferën e sigurisë.

Ndërkaq, ai ka theksuar se mandati katërvjeçar i qeverisë së fundit ka qenë testues edhe në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë. Krasniqi ka theksuar se është vërejtur një zbehje në komunikimin midis Kosovës dhe Shqipërisë.

“Marrëdhëniet me Gjermaninë mund të quhen më ndryshe se me SHBA-në për shkak se ka pasur një mbështetje konstante të Kosovës rreth integrimit të saj euroatlantik. Por ka qenë edhe pragmatike, por edhe duke treguar edhe një lloj kushtëzimi që Gjermania konstant i ka dhënë shenjë Kosovës të vazhdojë përpara me dialogun Kosovë-Serbi…Marrëdhëniet Mbretëri e Bashkuar-Kosovë kanë qenë më ndryshe se të lartëpërmendurat. Për shkak se më së shumti kanë bashkëpunuar në sferën e sigurisë…Marrëdhëniet e forta dhe të thella midis Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin shoqëror, ekonomik apo turistik vazhdojnë si gjithmonë. Por, ky mandat katërvjeçar ka qenë testues edhe në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri për shkak se po shohim një zbehje edhe në takimet midis Kosovës dhe Shqipërisë. Por, edhe një mos komunikim midis dy qeverive sidomos në vitin 2024. Marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut mbeten më të suksesshmet të Kosovës gjatë vitit. Shënojnë një ndër partneritet më konstruktive”, është shprehur ai, transmeton kosovapress.

Ndër kapitujt e raportit vjetor të publikuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, thuhet se përparimi sa i përket njohjeve diplomatike mbetet i kufizuar.

 

Lidhur me dialogun e Kosovës me Serbinë, sipas Krasniqit, pa u adresuar çështja e Banjskës, nuk do të ketë zhvillime përpara.

“Përparimi në njohjet diplomatike edhe pse kanë ardhur këto dy njohje të reja, mbetet i kufizuar sepse janë vetëm tri njohje në më shumë se gjysmë dekade. Kosova në mars 2024 u bë anëtare e asociuar e asamblesë parlamentare që e ka rritur prezencën dhe dialogun politik. Te dialogu i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë gjetur shumë pak apo fare zbatim gjatë vitit 2024. Në raport është ngrirja e dialogut pas ngjarjeve të Banjskës. Pa u adresuar çështja e Banjskës mendoj që nuk do të këtë një zhvillim përpara në dialogut Kosovë-Serbi”, tha Krasniqi.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Muhamet Brajshori tha se Kosova është pasive diplomatikisht.

 

Sipas tij, shteti nuk ka drejtim strategjik në politikën e jashtme dhe se ka humbur busullën se si duhet funksionuar me shtete aleate dhe ato jo mike të Kosovës.

“Vetë historia e ndërtimit të këtij shteti është e ndërtuar prej dy shtyllave. Një konsensus i brendshëm me atë se çfarë dëshirojmë të jemi si shtet dhe e dyta një konsensus me qenë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë. Në këto dyja ne kemi çaluar në këto vitet e fundit dhe kjo reflekton në atë të parën se thashë po jemi pasiv diplomatikisht. Nuk po e dimë se ku dëshirojmë të shkojmë, apo se çfarë dëshirojmë të arrijmë në botw. Nuk kemi drejtim strategjik në politikën e jashtme, por nuk kemi as shtytje jashtë qeverisë për më shumw ambicie në politikën e jashtme. Kemi humbur busullën se si duhet funksionuar me aleatët dhe me shtet që janë jo aleate. Sepse diplomacia në fund të fundit nuk është për moral. Edhe me njeriun më të keq do të ulesh ta gjesh një marrëveshje”, potencoi Brajshori.

 

Ndërkaq, hulumtuesi në Institutin Kosovar për Hulmtim dhe Zhvillim të politikave (KIPRED), Ilir Deda potencoi se gjatë këtij viti, Kosova ka humbur mjaft shumë dhe se nuk do arrijë të rikuperohet edhe nëse zgjidhet qeveria e re.

“Askush prej nesh nuk ndihet mirë që në vitin kyç të ri angazhimit te marrëdhënieve ndërkombëtare Kosova e gjen vetën jashtë orbitës së Perëndimit. Është vendi i vetëm në Evropë i cili është i ndëshkuar pas Bjellorusisë dhe Rusisë dhe Republikës Serbe, Bosnjës Hercegovinës. Pesë vjet prej sot kur te kthehemi mbrapa në vitin 2025 kolektivisht do ta mallkojmë si vitin kur kemi humb aq shumë dhe nuk do mbërrijmë që ta rikuperojmë edhe në qoftë se ndodhë tranzicioni në qeveri, edhe nëse kemi qeveri të re, edhe nëse kemi politikën më të mirë të mundshme të jashtme, ne nuk do ta rikuperojmë humbjen e vitit 2025”, u shpreh Deda.

Ndër të tjera, në këtë raport shkruan edhe për marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e tjera siç është Turqia, Kroacia, Greqia e të tjera.