Pioli: Penalltia e Ronaldos nuk ekzistoi

Stefano Pioli është deklaruar shumë krenar me skuadrën e tij në barazimin 1:1 kundër Juventusit në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, duke shtuar se nuk ishte i bindur nëse penalltia vërtetë ekzisonte.

Sport

14/02/2020 08:32

Milan dhe Juventus kanë luajtur barazim 1:1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë të enjten mbrëma në ‘San Siro’.

Rossonerët panë vetën në epërsi me një gol të Ante Rebic, por Cristiano Ronaldo barazoi gjithçka në minutën e 90’, duke fituar një penallti, të cilën e ktheu në gol.

“Ju thash djemve të largohen nga fusha pa asnjë keqardhje. Mund ta them, ata nuk ndihen keq. Jam shumë krenar me paraqitjen e tyre, kështu janë edhe tifozët e Milanit”, ka deklaruar Pioli, përcjell lajmi.net.

“Ne dëshiruam fitoren, ishim në një pozitë të mirë ta bënim atë, por kjo është vetëm ndeshja e parë dhe ne do të provojmë të bëjmë më mirë në ndeshjen e dytë”.

Duke folur për penalltinë, Pioli tha: Mbaj mend se gjyqtarët treguan pamjet e kësaj penalltie në Cagliari – Brescia në fillim të sezonit, dhe thanë se ishte gabim ta jepje sepse lojtari nuk mund ta shihte topin”.

“Unë nuk shoh se çfarë pati ndryshe në këtë situatë, pasi Calabria nuk pati mundësi ta shoh atë”

“Dëshiroj vetëm të them se nuk kemi ide të qartë nëse vërtetë ishte penallti. Ju mund të thoni se ishte një goditje në shënjestër, por unë nuk jam i sigurt nëse përpjekja e Ronaldos po shkonte në shënjestër”./Lajmi.net/