Pikat kyçe nga Kushtetuesja: Kryeparlamentari brenda 30 ditëve me votim të hapur, Dehari shkeli Kushtetutën- emri mund të propozohet tri herë
Edhe pse kishte kohë deri në mesnatë, Gjykata Kushtetuese nuk vonoi dhe tanimë bëri publik aktgjykimin në lidhje me çështjen e bllokadës së krijuar në Kuvendin e Kosovës tash e gati 6 muaj. Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi se deputetet duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur. Konstituimi i…

Lajme
Edhe pse kishte kohë deri në mesnatë, Gjykata Kushtetuese nuk vonoi dhe tanimë bëri publik aktgjykimin në lidhje me çështjen e bllokadës së krijuar në Kuvendin e Kosovës tash e gati 6 muaj.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi se deputetet duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.
Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh.
Partia fituese e këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar vetëm një emër- atë të Albulena Haxhiut për postin e të parës së Kuvendit, derisa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.
Duke shkuar edhe më tej, në aktgjykim qartësisht u tha se kryesuesi i seancave, Avni Dehari ka shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Kushtetuesja njoftoi se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”.
Po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.
Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, e cila u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.
Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.
Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.
Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.
Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.
Partitë politike të tjera, jashtë Vetëvendosjes nuk kanë votuar assesi për Albulena Haxhiun në asnjë variant të votimit dhe po ashtu e kanë cilësuar Haxhiun si “figurë përçarëse”./Lajmi.net/