​Picula demanton Vuçiqin: E pavërtetë që delegacioni i PE-së në Beograd i paftuar

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur tha se Serbia nuk dëshiron të takohet me përfaqësuesit e delegacionit të Parlamentit Evropian sepse ata vijnë në Beograd “të paftuar”. Vuçiq iu tha të martën gazetarëve se nuk dëshiron të takohet me përfaqësuesit e delegacionit…

Lajme

14/01/2026 13:19

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur tha se Serbia nuk dëshiron të takohet me përfaqësuesit e delegacionit të Parlamentit Evropian sepse ata vijnë në Beograd “të paftuar”.

Vuçiq iu tha të martën gazetarëve se nuk dëshiron të takohet me përfaqësuesit e delegacionit të Parlamentit Evropian (PE) sepse ata “vijnë të paftuar” në Beograd.

Ai u tha gazetarëve gjatë vizitës së tij në Abu Dhabi se nuk do të jetë në Serbi kur të vijnë eurodeputetët sepse ka rënë dakord më parë për detyrimet.

Picula për televizionin “Nova” tha se nuk është e vërtetë që delegacioni i Parlamentit Evropian po vjen me paparalajmërim dhe se Ambasada e Serbisë në Bruksel ishte e informuar dhe se në programin ka punuar delegacioni i Bashkimit Evopian në Beograd.

“Është praktikë e zakonshme, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, përveç këtij reagimi të qeverisë dhe situatës në vend. Qëllimi kryesor i delegacionit tonë, i bërë nga përfaqësues të ndryshëm nga parti të ndryshme në PE, është që, në një bisedë të drejtpërdrejtë me ata që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të qytetarëve të Serbisë, të fitohet një pamje më e plotë e vendit ku kanë ndodhur të gjitha gjërat gjatë vitit të kaluar. Pse autoritetet zgjodhën këtë lloj bojkoti, do të thosha se ka të bëjë me shmangien e përballjes të bisedës me ata që janë çelësi për të vendosur hyrjen e Serbisë në Bashkim Evropian”, tha Picula, transmeton KosovaPress.

Ai shtoi se dokumenti i anëtarësimit midis Bashkimit Evropian dhe Serbisë, ashtu si edhe për çdo vend tjetër kandidat, duhet të kalojë verifikimin e Parlamentit Evropian, dhe se për këtë arsye ky takim ishte i rëndësishëm.

“Mendoj se kjo është një mundësi e humbur e atyre më përgjegjësve në Serbi në një fazë kaq të rëndësishme të këtij procesi, ku do të duhej të dëgjonin se çfarë mendojmë ne për shtetin kandidat”, tha Picula.

Misioni i Parlamentit Evropian do të jetë në Beograd nga 22 deri më 24 janar.