PF hap lojën shpërblyese për të garuar për president

Partia e Fortë ka vendosur që kandidatin për President/e të vendit, ta bëjë përmes lojës shpërblyese.

Lajme

05/06/2014 17:35

Ata kanë bërë publike sot këtë, përmes së cilës secilit qytetarë të Kosovës i ofrohet mundësia që të garojë për president apo presidente të vendit.

Sipas PF-së, mekanizmi i lojës është si vijon: “duke filluar nga sot e deri nesër në ora 15 00, qytetarët që janë të interesuar të bëhen president të Kosovës duhet të fotografojnë ose numrin 37 ose shkronjat PF dhe t’i postojnë në rrjetet sociale me hashtagun #PF37”.

“Ne më pastaj përmes hashtagut do t’i identifikojmë emrat e qytetarëve kandidatë dhe do ti fusim në zarfa, ku në ora 18 00, në transmetim të drejtpërdrejtë, unë personalisht do ta bëj tërheqjen e zarfit nga i cili do të del kandidati që do ta nominojmë për president apo presidente pas ardhjes sonë në pushtet‘, ka pohuar Kryetari i PF-së dhe kandidati për kryeministër, Visar Arifaj.

Zyrtarë të partisë pohuan se kjo është mënyra më demokratike deri më tani e përzgjedhjes së presidentit në historinë politike Kosovare.

‘Ne jemi të lumtur që do të jemi implementues të këtij projekti madhor dhe domethënës për demokracinë Kosovare’, ka përfunduar fjalimin e tij Kryeministri i ardhshëm.

Shpallja e të nominuarit apo së nominuarës për president do të jetë po ashtu edhe aktivitetit i fundit i Partisë së Fortë për këtë fushatë zgjedhore.