PF e do R-në e gjakovarëve shkronjë të 37 të alfabetit
Visar Arifaj premton se do ta bëjë suxhukun, brend botëror të Gjakovës. Ai thotë se R-ja e fortë e gjakovarëve do të bëhet shkronjë e veçantë në alfabet.
Lajme
Qyteti i radhës që u okupua nga Partia e Fortë, ishte Gjakova. Në këtë qytet, kryetari legjendar dhe kandidati i PF-së për Kryeministër, Visa Arifaj, tha se në një mandat të tij, do të stimulojë prodhimin e suxhukut gjakovar.
Ai tha se shqiptimi i fortë i shkronjës R nga gjakovarët, duhet të jetë një shkronjë e posaçme në alfabetin e gjuhës shqipe, duke u bërë kështu, shkronja e 37-të.
Ndërsa, tha se do t’i fus nën mbrojtje të UNESC-s, çdo gjakovar që mbron traditat e vjetra të këtij qyteti.
“Gjakova është një ndër qytetet që e ka kuptuar më së miri thelbin e vizionit të ri, prandaj edhe do të përfitoj më shumë nga ky vizion. Në aspektin ekonomik në Gjakovë ne fillimisht do të stimulojmë prodhimin më të madh dhe eksportimin e Suxhukut. Ne, që në fillim të mandatit do të hapim shkolla profesionale që do të mundësojnë shkollimin për shndërrimin e këtij produkti në një brend të njohur me standarde Evropiane, ” ka pohuar Kryeministri i ardhshëm Arifaj.
Me këtë rast Partia e Fortë përmes zyrtarëve të saj poashtu ka premtuar se do të kontribuoj edhe në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë dhe traditës Gjakovare.
“Ne mendojmë që shkronja R (R me theks të Gjakovës) si vlerë e veçantë gjuhësorë nuk duhet të përdoret vetëm në Gjakovë por edhe më gjerë në mbarë kombin Shqiptar e pse jo edhe në kombet tjera Evropiane. Për të arritur këtë ne kemi vendosur që të këtë shkronjë ta inkuadrojmë në alfabetin zyrtar të Gjuhës Shqipe si shkronjë me simbol të veçantë. Kështu edhe alfabeti pas zgjedhjeve do të ketë 37 shkronja, numër ky që Partia e fortë e ka në këto zgjedhje”.
“Zyrtarë të Partisë kanë theksuar që plani për modernizimin e trashëgimisë kulturore në bashkëpunim me komunën do të implementohet edhe në Gjakovë. Gjatë mandatit qeverisës të PF-së të gjitha rrugët e mbetura në kalldrëm do të asfaltohen të gjitha kullat e vjetra do veshën me fasadë të xhamit ndërsa të gjithë dyqanet më stil të vjetër në qarshi do të rindërtohen duk shfrytëzuar blloka të bardhë apo të kuq që kanë izolim më të mirë”.
“Kryeministri i ardhshëm ka premtuar se të gjithë qytetarët e Gjakovës që respektojnë traditën e lashtë Gjakovare do të vihen nën mbrojtje të UNESCO’s”.