Pezullohet tenderi për rehabilitimin e njësisë A3 në KEK
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka sqaruar se projekti për rehabilitimin e njësisë A3 në termocentralin “Kosova A” nuk është anuluar, por vetëm pezulluar përkohësisht, si rezultat i një ankese të dorëzuar pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Sipas Rizvanollit, pezullimi ka ardhur me kërkesë të OShP-së, për shkak të procedurave ligjore që…

Lajme
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka sqaruar se projekti për rehabilitimin e njësisë A3 në termocentralin “Kosova A” nuk është anuluar, por vetëm pezulluar përkohësisht, si rezultat i një ankese të dorëzuar pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Sipas Rizvanollit, pezullimi ka ardhur me kërkesë të OShP-së, për shkak të procedurave ligjore që lidhen me ankesën. Ajo theksoi se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) mbetet e bindur se kjo ankesë është e pabazuar dhe tashmë ka kërkuar nga OShP që rasti të trajtohet me prioritet, duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të projektit.
“Kjo bindje është përforcuar edhe nga raporti zyrtar i Ekspertit Shqyrtues të OShP-së (nr. lëndës 2025/0579), i cili rekomandon refuzimin e ankesës si të palejuar”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.
Ajo theksoi se KEK mbetet i përkushtuar që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë transparente dhe të drejtë, me konkurrencë të hapur dhe në përputhje të plotë me ligjin, duke u bazuar në dokumentacionin e përgatitur nga ekspertët e KEK-ut në bashkëpunim me konsulencën e USAID, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.
Ministrja shtoi se KEK është i vendosur ta çojë përpara projektin deri në finalizimin e tij, pavarësisht tentativave për ta cenuar procesin përmes dezinformatave apo pretendimeve të pabazuara.
“U bashkohem thirrjes së KEK për të gjitha palët që të shmangin përhapjen e dezinformatave dhe krijimin e pasigurisë rreth projekteve strategjike në sektorin e energjisë. Këto mund të dëmtojnë jo vetëm përfundimin e projekteve, por edhe imazhin e Kosovës si destinacion për investime”, ka përfunduar Rizvanolli.
Postimi i plotë i Rizvanollit:
✅Rehabilitimi i A3 nuk është anuluar, por është pezulluar përkohësisht me kërkesëntë OShP-së si rrjedhojë e një ankese tek ky institucion.
✅KEK është i bindur se ankesa në fjalë është e pabazuar dhe ka kërkuar nga OShP që ta trajtojë rastin me prioritet të lartë, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të këtij projekti.
✅Kjo bindje është mbështetur edhe nga raporti zyrtar i përpiluar nga Eksperti Shqyrtues i OSHP-së (nr. lëndës 2025/0579), i cili rekomandon Panelin Shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik ankues të refuzohet si e palejuar.
✅KEK rithekson përkushtimin e tij që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë transparente dhe të drejtë, me konkurrencë të hapur, në përputhje të plotë me ligjin dhe me dokumentacionin e përgatitur nga ekspertët profesionistë të KEK-ut, në bashkëpunim me konsulencën e USAID, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.
✅KEK është i përkushtuar që me vendosmëri ta çojë përpara këtë projekt deri në finalizimin e tij, pa marrë parasysh çdo tendencë për të cenuar integritetin e procesit përmes dezinformatave apo pretendimeve të pabazuara.
I bashkohem thirrjes së KEK për të gjitha palët që të shmangin përhapjen e dezinformatave dhe krijimin e pasigurisë në lidhje me projektet strategjike në energji, gjë që mund të rrezikojë jo vetëm suksesin e projekteve por edhe imazhin e Kosovës si vend për të bërë biznes e për të investuar./Lajmi.net/