Pezullohet për 30 ditë Gresa Latifi, inspektorja e Autoritetit të Konkurrencës, nis procedurë disiplinore ndaj saj
Autoriteti i Konkurrencës ka konfirmuar se ndaj nëpunëses civile Gresa Latifi, e cila mban pozitën e Inspektores Hetuese të Konkurrencës, është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rënda. Sipas përgjigjes që ky institucion i ka dhënë lajmi.net, Komisioni Disiplinor më 28 janar 2026 ka pranuar kërkesën për fillimin e procedurës, ndërsa më 2 shkurt ka…
Lajme
Autoriteti i Konkurrencës ka konfirmuar se ndaj nëpunëses civile Gresa Latifi, e cila mban pozitën e Inspektores Hetuese të Konkurrencës, është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rënda.
Sipas përgjigjes që ky institucion i ka dhënë lajmi.net, Komisioni Disiplinor më 28 janar 2026 ka pranuar kërkesën për fillimin e procedurës, ndërsa më 2 shkurt ka vendosur pezullimin e përkohshëm të saj për 30 ditë, nga 3 shkurti deri më 4 mars 2026, me arsyetimin se vazhdimi i ushtrimit të detyrës mund të pengojë hetimin disiplinor.
Në kërkesën për procedurë disiplinore përmenden, mes tjerash, sjellje të papërshtatshme dhe joprofesionale, komunikim me tone provokuese, akuza të pabazuara ndaj kolegëve dhe eprorëve, si dhe mosrespektim i hierarkisë dhe tejkalim i kompetencave.
“Ndaj nëpunëses civile Gresa Latifi, në pozitën Inspektore hetuese e konkurrencës, në Divizionin e Marrëveshjeve të Ndaluara, në Departamentin e Mbikëqyrjes së Tregut, të Autoritetit të Konkurrencës, me datë 28.01.2026 Komisioni Disiplinor ka pranuar kërkesën për fillimin e procedurës disiplinore, për shqiptimin e masës disiplinore për shkelje të rënda. Komisioni Disiplinor, me date 02.02.2026 ka konstatuar se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga nëpunësja civile Gresa Latifi, pengon hetimin disiplinor dhe vendosi pezullimin e saj të përkohshëm në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditëve, duke filluar nga data 03.02.2026 deri me datë 04.03.2026. Sipas kërkesës për fillimin e procedurës disiplinore, ajo në vazhdimësi ka sjellje të papërshtatshme, konfrontuese, mungesë të respektimit të hierarkisë dhe ka përmbajtje të papërshtatshme në komunikimet zyrtare, ku sjelljet dhe komunikimet karakterizohen nga:
– Gjuhë dhe tone provokuese dhe joprofesionale,
– Insinuata dhe akuza të pabazuara ndaj kolegëve, autoritetit drejtues dhe vendimmarrjes institucionale,
– Cenim të rendit administrativ dhe disiplinës në institucion,
– Tejkalim i kompetencave funksionale dhe mosrespektim i hierarkisë organizative.”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Konkurrencës./lajmi.net/