Pezullimi i ndihmave amerikane – bllokohen xhirollogaritë e USAID-it, preket edhe Kosova
Elon Musk, udhëheqës i Departamentit për Efiçiencë Qeveritare (DOGE) në administratën e presidentit amerikan Donald Trump, ka paralajmëruar se Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), mund të mbyllet. Këto komente Musk i bëri pasi dy zyrtarë të lartë të sigurisë së kësaj organizate u pushuan nga puna, pasi refuzuan t’i lejonin Musk…
Lajme
Elon Musk, udhëheqës i Departamentit për Efiçiencë Qeveritare (DOGE) në administratën e presidentit amerikan Donald Trump, ka paralajmëruar se Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), mund të mbyllet.
Këto komente Musk i bëri pasi dy zyrtarë të lartë të sigurisë së kësaj organizate u pushuan nga puna, pasi refuzuan t’i lejonin Musk qasje në dokumentet e klasifikuara.
“Për sa i përket çështjeve të USAID-it, unë e diskutova atë me (presidentin) në detaje dhe ai ra dakord që ne duhet ta mbyllim atë”, tha Musk në një bisedë në X Spaces herët të hënën.
Musk tha se ai kontaktoi me Trump “disa herë” dhe Trump konfirmoi se dëshiron të mbyllë agjencinë, e cila shpërndan miliarda ndihma humanitare dhe fonde zhvillimi çdo vit. CNN ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë dhe USAID për koment.
Drejtori i sigurisë i USAID-it, John Voorhees, dhe zëvendësi i tij, Brian McGill u pushuan nga puna pasi ia mohuan personelit të DOGE hyrjen në zonat e sigurta për shkak të mungesës së lejeve të sigurisë, raportuan disa media amerikane, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar.
Ndërsa Steven Cheung, drejtori i Komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, mohoi që personeli i DOGE kishte tentuar të fitonte qasje në zona të sigurta, duke e quajtur një raport të mediumit PBS për ngjarjen “lajm të rremë” dhe “aspak të vërtetë”, shkruan Al Jazeera.
“Kjo tregon se sa joserioze dhe e pabesueshme është media,” tha Cheung në një postim në X.
Jeremy Konyndyk, i cili shërbeu si drejtor i Zyrës së USAID-it për Ndihmën e Jashtme të SHBA-së për Fatkeqësitë midis 2013 dhe 2017, tha se eliminimi i USAID-it pa një akt të Kongresit do të ishte i paligjshëm dhe një shkelje e ndarjes së pushteteve të sanksionuara në Kushtetutën e SHBA.
Ndikimi i USAID në Kosovë
Grupet humanitare, organizatat joqeveritare, sipërmarrësit, fermerët dhe qeveritë në të gjithë botën po përcjellin me shqetësim planet e Uashingtonit, pasi presidenti i sapobetuar amerikan, Donald Trump, e pezulloi ndihmën për vendet e huaja, në pritje të një vlerësimi nga administrata e tij.
Në Kosovë, një përpunues i drurëve shpreson se Uashingtoni nuk do t’ia kthejë shpinën vendit të tij.
Kreshnik Shehu, një përpunues i drurëve në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndihma e SHBA-së ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e eksporteve të kësaj lënde.
Kompania e Shehut, ashtu si edhe sektori i drurit në përgjithësi në Kosovë, kanë përfituar nga financimet e USAID-it (Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar).
“Në vitin 2014, eksportet në sektorin tonë ishin 2.5 milionë euro”, thotë Shehu për Radion Evropa e Lirë.
“Sot, ato janë më shumë se 150 milionë euro. Kjo tregon se gjatë dhjetë vjetëve të fundit, kontributi i USAID-it ka qenë shumë i madh. Ai ka qenë një faktor vendimtar në rritjen e këtij sektori”, shton Shehu.
USAID-i thotë se ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.
“Nëse ajo ndihmë nuk do të ekzistonte, do të kishim mbetur shumë vite prapa”, thotë Shehu, kompania e të cilit e ka selinë në qytetin e Drenasit.
Shehu thotë se “nuk dua të besoj se USAID-i do të na kthejë shpinën”.
“Ne ende kemi nevojë për të, sepse ende nuk jemi rritur sa duhet për të përballuar konkurrencën e pabesueshme në tregun ndërkombëtar”, thotë ai.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, konfirmon se USAID-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shtetit të Kosovës.
“USAID-i vazhdon të ndihmojë shoqata dhe biznese të shumta, përfshirë ndërmarrje të udhëhequra nga gratë, kompani të teknologjisë informative dhe biznese të orientuara nga eksporti”, thotë Rafuna.
Ai shton se USAID-i ka ndihmuar edhe në uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ka qenë i rëndësishëm në ofrimin e ndihmës për gjetjen e zgjidhjeve për mosmarrëveshjet tregtare, që përfshinin eksportet dhe importet në tregjet serbe dhe rajonale. Pra, përveç nxitjes së zhvillimit ekonomik, USAID-i ka luajtur një rol jetik në uljen e tensioneve mes dy vendeve”, sipas Rafunës.
Trump, prej kohësh, ka qenë kritik ndaj ndihmave të SHBA-së për vendet e huaja, të cilat përbëjnë rreth 1 për qind të buxhetit federal.
“Ne do të japim ndihma vetëm për ata që na respektojnë dhe, sinqerisht, janë miqtë tanë”, ka thënë Trump gjatë mandatit të parë presidencial, derisa ka mbajtur një fjalim në Kombet e Bashkuara në vitin 2018.
Në një deklaratë të lëshuar më 22 janar, sekretari i ri i Shtetit, Marco Rubio, i zgjedhur nga Trump, ka thënë:
“Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim, duhet të justifikohet me përgjigje në tri pyetje të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?”, deklaronte ai.