Pezullimi i linjave të Trafikut Urban, reagon edhe Durmishi: Komuna e Prishtinës nuk i miratoi rregulloret e reja të transportit, e as Planin e Transportit

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Infrastrukturit, Hysen Durmishi ka reaguar në lidhje me pezullimin e punës së Trafikut Urban. Ai ka thënë se në bazë të ligjit për Transportin Rrugor, të gjitha komunat si dhe ajo e Prishtinës, kishin obligim ligjor të hartojnë dhe miratojnë rregulloret e reja të transportit në Kuvendet Komunale, për…

Lajme

24/11/2025 11:54

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Infrastrukturit, Hysen Durmishi ka reaguar në lidhje me pezullimin e punës së Trafikut Urban.

Ai ka thënë se në bazë të ligjit për Transportin Rrugor, të gjitha komunat si dhe ajo e Prishtinës, kishin obligim ligjor të hartojnë dhe miratojnë rregulloret e reja të transportit në Kuvendet Komunale, për çka ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk e ka përmbushur këtë detyrim.

“Aktualisht, transporti urban dhe urban-periferik në kryeqytet po zhvillohet pa rregullore transporti, pra jashtë kornizës së duhur ligjore dhe planifikuese. Ky është një dështim i pastër menaxhues”, ka thënë Durmishi.

Ai ka thënë se Komuna ka obligim ta hartoj Planin e Transportit të bazuar në Planin e Mobilitetit, dhe ta dorëzojë në Ministri për miratim, ashtu që linjat urban dhe urba-periferike të mos ndërhyjnë me lindjat ndërurbane, por ka thënë se Komuna e Prishtinës as këtë nuk e ka bërë.

Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës, ka improbizuar linja të reja, të pambështetura në plan, të krijuara për efekte elektorale dhe të subvencionuara pa asnjë analizë profesionale.

“Qeverisja e LDK-së në Prishtinë ka dështuar jo vetëm në transport, por pothuajse në çdo fushë ku ka nevojë për planifikim, ligjshmëri dhe procedurë. Tani, në prag zgjedhjesh, përpiqen t’ia lënë fajin Qeverisë për dështimet që i kanë shkaktuar vetë. Kjo nuk është qeverisje. Ky është abuzim me institucionin dhe me qytetarët e kryeqytetit”, ka shkruar Durmishi. /Lajmi.net. 

Postimi i tij i plotë në Facebook: