Pezullim dhe afate, a u shua AKR? – Makolli: Në prill do ta mbajm kuvendin zgjedhor, nuk mundëm ta mbajmë shkaku i dy palë zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së enjtes ka pezulluar partinë politike Aleanca për Kosovën e Re (AKR). Sipas vendimit, kjo parti obligohet të mbajë kuvendin zgjedhor brenda 45 ditësh, në të kundërtën KQZ mund të marrë vendim për çregjistrimin e saj nga regjistri i partive politike. Megjithatë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të…

Lajme

12/03/2026 14:43

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së enjtes ka pezulluar partinë politike Aleanca për Kosovën e Re (AKR). Sipas vendimit, kjo parti obligohet të mbajë kuvendin zgjedhor brenda 45 ditësh, në të kundërtën KQZ mund të marrë vendim për çregjistrimin e saj nga regjistri i partive politike.

Megjithatë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli, thotë se kjo nuk nënkupton shuarjen e partisë.

Makolli ka bërë të ditur për KosovaPress, se kanë dërguar kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shtyrjen e afatit të mbajtjes së kuvendit, por ajo nuk është aprovuar.

“Nuk bëhet fjalë për shuarje. Ne e kemi pasur afatin për ta mbajt kuvendin zgjedhor në fund të shkurtit. Pasi që janë mbajtur dy palë zgjedhje lokale dhe nacionale, ne gjatë asaj kohe nuk kemi mundur t’i mbajmë zgjedhjet. Ne kemi bërë një kërkesë KQZ-së, por nuk qenka aprovuar, meqenëse ka pasur dispozita juridike që është dashur ta mundësojnë këta. Meqenëse nuk është aprovuar kërkesa jonë, atëherë bëhet pezullimi, derisa të mbajmë kuvendin që pritet brenda dy muajsh”, tha Makolli.

Sipas tij, arsyeja pse AKR nuk ka arritur ta mbajë kuvendin zgjedhor lidhet me proceset zgjedhore që janë zhvilluar në vend gjatë kësaj periudhe.

Ai ka paralajmëruar se kuvendi i partisë, ku do të zgjidhet kryesia e re dhe kryetari i ri, pritet të mbahet gjatë muajit prill.

“Kemi dërguar kërkesë për me na prolonguar afatin e mbajtjes të kuvendit, se çdo katër vite duhet të mbahet, ne për shkak shumë rrethanave nuk kemi mundur dhe ka qenë kërkesa jonë… Kuvendi do të mbahet gjatë gjysmës së prillit apo nga fundi..  Në zgjedhjet e fundit kemi marrë pjesë në listën e LDK-së, do marrim pjesë dhe ky pezullim nuk na ndalon të marrim pjesë, na ndalon si listë e AKR-së jo si kemi marrë pjesë në zgjedhjet e fundit”, shtoi ai.

Ndërkohë, sa i përket ish-kryetarit të kësaj partie dhe ish-presidentit të Kosovës, Behxhet Pacolli, Makolli tha se ai do të ketë një rol të veçantë në parti edhe pas zgjedhjeve të reja të brendshme.

“Për ne është president i përjetshëm. Atij me zgjedhjet që do t’i bëjmë dhe disa ndryshime në statut, ai do të ketë vendin e posaçëm në AKR dhe do jetë gjithmonë aty”, shtoi ai.

Aleanca për Kosovën e Re (AKR) është themeluar në vitin 2006 nga biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli. Kjo parti ka qenë pjesë e disa proceseve politike dhe qeverisëse në vend ndër vite. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, AKR ka garuar në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa strukturat e saj drejtuese janë në proces të riorganizimit përmes mbajtjes së kuvendit zgjedhor.