Petulla me lëng portokalli – Receta e veçantë plotë aromë dhe shije

Me shumë pak përbërës ju do të mrekulloni shqisat tuaja dhe do të kënaqni nepsin.

Lifestyle

30/06/2021 10:42

Petullat në mëngjes janë një zgjidhje perfekte që kënaq të gjithë familjen.

Bëhet fjalë për petulla me lëng portokalli, të cilat mbushin me aromë shtëpinë tuaj.

Përbërësit

500 gr miell,

8 gr maja,

1/2 gotë uji me lëng portokalli,

1 lugë kafeje me kripë,

Ujë sa të kemi një brumë të butë

Vaj për skuqje.

Përgatitja

Si fillim përgatisni majanë, të cilën duhet ta shkrini në pak ujë të ngrohtë.

Sapo ajo të jetë aktivizuar, pra të ketë krijuar bulëza në sipërfaqe mund të vazhdoni me përzierjen e përbërësve të thatë.

Në një tas të madh sitni miellin dhe shtojini pak kripë për shije.

Po aty hidhni majanë të cilën e përgatitët pak më parë.

Ndërkohë shtrydhni portokallin, për gjysmë gote uji ju nevojitet ose një portokall i madh ose dy mesatarë.

Lëngun kalojeni në një sitë të imët në mënyrë që t’i largoni fijet apo tulin e frutit.

Hidheni lëngun e portokallit tek tasi me miellin dhe nisni të shtoni pak ujë.

Punojeni brumin me telin e kuzhinës ose me një lugë druri.

Nëse e shihni që brumi është i fortë shtoni edhe pak ujë dhe përsëri përziejeni mirë.

Brumi i këtyre petullave duhet të ketë trashësinë e zakonshme që jemi mësuar.

Kur të keni mbaruar me brumin mbulojeni me qese kuzhine dhe lëreni të pushojë për 45 minuta.

Kështu ai do të fryhet dhe petullat do të dalin plot pore dhe të shijshme.

Kur të ketë kaluar koha e nevojitur në zjarr vendosni një tigan me vaj për skuqje.

Me lugë merrni pak nga brumi dhe hidheni në tigan kur vaji të jetë nxehur.

Skuqni kështu petullat dhe kur t’i largoni nga tigani lërini në një pjatë me letër kuzhine në mënyrë që të thithet yndyra e tepërt.

Kur t’i shërbeni mund t’i shoqëroni me mjaltë apo sheqer. /Lajmi.net/