Petritsch: Ndërmjetësi i ri është serioz, zgjidhja Kosovë-Serbi çështje e rëndësishme për Evropën
Diplomati Wolfgang Petritsch tha se emisari i ri për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen është “ndërmjetës serioz”, por që për të pasur sukses në këtë pozitë, ka nevojë për mbështetjen e fuqishme nga Brukseli, por edhe nga Berlini e Parisi. Austriaku, i cili ishte i dërguari special i BE-së për Kosovën në fund…

Lajme
Diplomati Wolfgang Petritsch tha se emisari i ri për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen është “ndërmjetës serioz”, por që për të pasur sukses në këtë pozitë, ka nevojë për mbështetjen e fuqishme nga Brukseli, por edhe nga Berlini e Parisi.
Austriaku, i cili ishte i dërguari special i BE-së për Kosovën në fund të viteve ’90, do të donte një qeveri shumëpartiake në Kosovë, me komunitetin serb të përfshirë.
“Unë e njoh personalisht Sorensen, mendoj se është një diplomat me shumë përvojë. Sigurisht, njohja e ‘gjuhës sonë’ nuk është forca e tij, siç ishte rasti me Mirosllav Lajçak. Por unë besoj se Sorensen është një ndërmjetës serioz. Megjithatë, ai ka nevojë për mbështetje të plotë politike nga Brukseli, por edhe nga qytetet kryesore, si Berlini dhe Parisi”, tha Petritsch në një intervistë për portalin serb, “Kosovo Online”.
Ai beson se Lajçakut i mungonte pikërisht kjo – mbështetja reale politike e përfaqësuesit të lartë, paraardhësit të Kaja Kallas, Josep Borrell.
“Shpresoj që Kallas, e cila tani, kuptohet, është plotësisht e fokusuar në luftën në Ukrainë, do të gjejë ende kohë për ta përdorur peshën e saj politike për përparim të shpejtë në këtë çështje. Kjo është mënyra e vetme se si Sorensen do të ketë një shans për të përparuar. Ai është diplomat me përvojë, por ka nevojë për peshën politike të BE-së. Nëse nuk e ka një gjë të tillë, nuk mund të bisedohet me Kurtin dhe as të bëhet progres me Beogradin”, u shpreh i bindur diplomati me përvojë.
Petritsch thotë se duhet kërkuar mbështetja e BE-së për një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me shpresën se SHBA-ja do të qëndrojë pas saj.
Ai thotë se Beogradi duhet të ketë dëshirë të përpiqet konstruktivisht për gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa Prishtina “është gabim të mendojë se do t’i zgjidhë problemet me masat e njëanshme”.
“Nuk i zgjidh problemet e qytetarëve. Qytetarët nuk presin njëanshmëri, por zgjidhje të drejta. Sigurisht që veriu i Kosovës mbetet pjesë e Kosovës, por në të njëjtën kohë, për shkak të shumicës serbe, ka nevojë të shtuar për veprime të caktuara të pavarura. Institucionet janë aty për njerëzit. Nëse atje jetojnë serbët, atëherë institucionet duhet të mbushen me serbë”, thotë Petrtitsch.
Sipas tij, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, “në thelb i zgjidh çështjet e tjera”.
Petritsch tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga pikëpamja e interesave politike të vendit, e ka humbur SHBA-në si mbështetësin kryesor historik të Kosovës së pavarur, që, siç thotë ai, për të paraqet problem politik dhe disfatë.
“Një vend i vogël duhet t’i dëgjojë partnerët e tij më të mëdhenj. Ky është një parakusht për përparimin e të gjithë rajonit, veçanërisht në dialog”, shton ai.
Në situatën e vështirë në të cilën ndodhet bota, ai thotë se “duhet parë që së pari të gjendet një zgjidhje politike, themelore”.
“Kjo është gjëja më e rëndësishme. Sido që të jetë definuar, është çështje dialogu dhe është çështje e rëndësishme për Evropën, sepse Kosova dhe Serbia dhe i gjithë rajoni janë në Evropë dhe duan të jenë pjesë e BE-së”, tha Petritsch.
Evropa, sipas tij “duhet të pozicionohet më fort”. “Kjo vlen si për çështjen ekonomike, ashtu edhe për atë politike, për rendin e ardhshëm që duhet të sundojë në Ballkanin Perëndimor. Dhe pastaj janë hapat e tjerë, për të cilët Aleksandar Vuçiq ka folur gjithmonë – rrugën e Serbisë drejt BE-së. Dhe Kosova gjithashtu dëshiron të bëhet anëtare e BE-së në të ardhmen”, u shpreh ai, duke kujtuar se nevojitet një marrëveshje si parakusht.