Petrit Hajdari pas kandidimit për kryetar të Drenasit: Ndaj të gjithëve, shtrij dorën e bashkëpunimit, Drenasi kushton më shumë se egot e kujtdo

Partia Demokratike e Kosovës ka votuar sot Petrit Hajdarin si kandidat i kësaj partie për kryetar të Komunës së Drenasit. E në lidhje me këtë, ka shkruar vetë Hajdari përmes një postimi në Facebook i cili ka falënderuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe kryesinë e kësaj partie pasi kanë pranuar kandidaturën e tij. Ai…

Lajme

27/07/2025 18:35

Partia Demokratike e Kosovës ka votuar sot Petrit Hajdarin si kandidat i kësaj partie për kryetar të Komunës së Drenasit.

E në lidhje me këtë, ka shkruar vetë Hajdari përmes një postimi në Facebook i cili ka falënderuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe kryesinë e kësaj partie pasi kanë pranuar kandidaturën e tij.

Ai ka thënë se është shumë krenar për rrugëtimin e tij të gjatë dhe sfidues në PDK, shkruan lajmi.net.

“Sot, edhe zyrtarisht, si kandidat i PDK-së për kryetar të komunës së Drenasit, i ftoj të gjithë për unifikim, bashkim e rrugëtim përpara ashtu sic i takon PDK-së në Drenas: bashkë e fuqishëm. I falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit që i kanë besuar vazhdimisht Partisë Demokratike të Kosovës e gjithashtu për besimin e thellë dhe emocionues që kam marrë unë gjithë këto ditë”, ka shkruar Hajdari.

Ai ka thënë se Drenasi do të jetë adresa e tyre e vetme dhe e përbashkët.

“Gjithmonë ka pasur, ka dhe do të ketë gra dhe burra që i përgjigjen thirrjeve për ta bërë vendin tonë më të jetueshëm. Drenasi i është përgjigjur thirrjeve për revoltë, thirrjes së UÇK-së për luftë, thirrjes së PDK-së për shtetndërtim e do t’i përgjigjet edhe thirrjes së sotme për përbashkim. Përbashkim rreth vlerave të PDK-së sonë, asaj që është porosi e shenjtë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Drenasi do të jetojë më mirë sepse këtë do ta mundësojmë ne. Të gjithë ne bashkërisht”, ka shtuar Hajdari.

Ai është shprehur i sigurt për fitoren e tyre në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Nuk kemi shtëpi të dytë. Drenasin e kemi të shenjtë. Ndaj të gjithëve, pavarësisht bindjeve, shtrij dorën e bashkëpunimit: Drenasi kushton më shumë se egot e kujtdo. E ardhmja e fëmijëve tanë është ajo që duhet të na bashkojë. Zemra e Drenasit rreh për shërbim!”, ka shtuar mes tjerash Hajdari.

Kryetari aktual i PDK-së nuk ka reaguar ende në lidhje me këtë kandidaturë. /Lajmi.net/ 

Postimi i tij i plotë në Facebook: