Petkoviq mbledh diplomatët e akredituar në Serbi, u ankohet për heqjen e dinarit për pagesa në Kosovë

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, ka zhvilluar një takim me shefat e misioneve të huaja në Serbi, pak ditë para se të hyjë në fuqi Rregullorja e BQK-së, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë…

Lajme

24/01/2024 18:02

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, ka zhvilluar një takim me shefat e misioneve të huaja në Serbi, pak ditë para se të hyjë në fuqi Rregullorja e BQK-së, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro, teksa anulon blerjet e shitjet me dinarin serb.

Petkoviq duke e quajtur këtë vendim të njëanshëm të kryeministrit Kurti, tha se në këtë takim foli “për pasojat katastrofike që do t’i shkaktonte popullit serb heqja e dinarit”.

“Kam pasur diskutime shumë produktive dhe konstruktive me delegacionin e Zyrës së BE-së në Serbi, me shefat e misioneve të BE-së në lidhje me vendimin e njëanshëm të Kurtit për heqjen e dinarit në Kosovë”.

“Së bashku me përfaqësuesit e NBS-së (Bankës Kombëtare të Serbisë), u përcolla mesazhe dhe argumente të rëndësishme përfaqësuesve diplomatikë për pasojat katastrofike që do t’i shkaktonte popullit serb heqja e dinarit”, ka shkruar Petkoviq në platformën “X”.

Petkoviq ka thënë se i është mirënjohës diplomatëve evropianë për interesimin e tyre për këtë temë.