Petkoviq i përgjigjet Bislimit: Në vend se ta akuzojë Serbinë, Prishtina ta formojë Asociacionin

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, i ka thënë nënkryetarit të parë të Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, i cili akuzoi Serbinë për mos zbatimin e Marrëveshjes Themelore, se Prishtina në vend që të “mashtrojë opinionin, duhet të përmbushë marrëveshjet e nënshkruara dhe të formojë…

Lajme

25/07/2024 13:00

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, i ka thënë nënkryetarit të parë të Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, i cili akuzoi Serbinë për mos zbatimin e Marrëveshjes Themelore, se Prishtina në vend që të “mashtrojë opinionin, duhet të përmbushë marrëveshjet e nënshkruara dhe të formojë Asociacionin”.

Petkoviq përmes rrjetit social “X” ka deklaruar se Beogradi “është plotësisht i përkushtuar në përmbushjen e obligimeve”.

“Në vend që Besnik Bislimi të tjerr dhe të mashtrojë opinionin, Prishtina duhet të përmbushë marrëveshjet e nënshkruara dhe të formojë Asociacionin. Beogradi është plotësisht i përkushtuar që të përmbushë obligimet e tij nga Marrëveshja e Ohrit në përputhje me vijat e kuqe të përcaktuara qartë dhe kjo nuk vihet në diskutim”, ka shkruar Petkoviq.

Më parë Bislimi ka akuzuar Serbinë për mos zbatimin e Marrëveshjes Themelore.

“Çfarë duhet tjetër për t’ju bindur se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Themelore? Se pjesëmarrja e tyre në dialog bëhet vetëm për të shmangur sanksionet e mundshme? Edhe sa draft plane të renditjes na duhen përpara se t’ua zbulojmë të vërtetën të gjitha shteteve anëtare?”, kishte thënë Bislimi.