Petkoviq: BE ka propozuar draft-statutin e Asociacionit, Kurti e ka refuzuar

“Gjithçka serbe sot kërcënohet edhe për shkak se nuk ka Asociacion, por Prishtina ka 11 vjet që refuzon të përmbushë obligimet e saj dhe nga deklaratat e Kurtit dhe Osmanit shihet se nuk kanë ndërmend të themelojnë ndonjëherë Asociacionin” edhe pse ai përfaqëson “shtyllën kurrizore të Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë drejtori i zyrës serbe…

Lajme

06/05/2024 12:08

“Gjithçka serbe sot kërcënohet edhe për shkak se nuk ka Asociacion, por Prishtina ka 11 vjet që refuzon të përmbushë obligimet e saj dhe nga deklaratat e Kurtit dhe Osmanit shihet se nuk kanë ndërmend të themelojnë ndonjëherë Asociacionin” edhe pse ai përfaqëson “shtyllën kurrizore të Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë drejtori i zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.

Petkoviq ka deklaruar për televizionin në shërbim të regjimit aktual serb “TV Pink” se për shkak të presionit nga perëndimi, takimet kushtuar Asociacionit kanë filluar në nëntor.

“Në nëntor të vitit 2023 kemi filluar takimet që i janë kushtuar Asociacionit, Prishtina ka refuzuar ta formojë për 11 vite dhe duket se nuk do ta bëjë kurrë, edhe pse ai paraqet “shtyllën kurrizore” të marrëveshjes së Brukselit, sepse gjashtë pikat e para të marrëveshjes i referohen formimit të Asociacionit dhe ata nuk do ta bëjnë këtë për të siguruar të drejtat individuale dhe kolektive të serbëve në Kosovë. Gjithçka serbe sot është rrezikuat në Kosovë sepse nuk kemi Asociacionin dhe nuk ekzistojnë ato kompetenca. 15 për qind e serbëve u larguan përgjithmonë nga Kosova sepse ne nuk kemi Asociacionin dhe nuk ekzistojnë ato kompetenca të cilat janë paraparë. Tani, nën presionin e Perëndimit, filluam të flasim për Asociacionin në nëntor të vitit të kaluar”, ka pretenduar Petkoviq.

Ai ka thënë se në maj të vitit të kaluar, pas pesë vjetësh ekipi menaxhues ishte ftuar nga BE-ja për t’ia prezantuar Vuçiqit dhe Kurtit draft-statutin e tij.

“Ata përfunduan draft-statutin e tyre për pesë muaj, e dërguan në BE dhe thanë se e kanë bërë punën e tyre dhe tani presin një ftesë për ta paraqitur në nivel të lartë. Kanë pesë vjet që presin përgjigje dhe në maj është prezantuar nga ana e ekipit menaxhues i cili është i vetmi për t’u marrë me prezantimin e statutit, por Kurti e ka refuzuar atë draft-statut dhe ka thënë se për të nuk ka ekip menaxhues, dhe ka shkelur rregullat e veta, sepse anëtarët e këtij ekipi janë miratuar si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi. Pastaj Lajçaku ka miratuar procesin e ri dhe i ka dhënë shtysë shtesë për formimin e Asociacionit: BE-ja doli me draft-statutin e saj, sepse Prishtina e refuzoi draft-statutin e ekipit menaxhues. Ne, për të treguar konstruktivitetin tonë, kemi qenë të gatshëm të flasim për atë letër, edhe pse kemi në tryezë draftin e ekipit menaxhues. Ne kemi pasur tri takime në nëntor ku ekspertët tanë negociuan me BE-në dhe besoni apo jo, “takimet ishin të mira”. Bëmë një hap të mirë përpara. Por, kur Prishtina e pa se po shkonte në drejtim të marrëveshjes për statutin përfundimtar dhe se të gjithë kishin gjetur një gjuhë të përbashkët, për t’i penguar këto bisedime dhe një marrëveshje për statutin përfundimtar, Kurti mori një vendim të njëanshëm për të shfuqizuar dinarin”, ka thënë Petkoviq.

Me ndalimin e dinarit, Petkoviq pretendon se “është e kërcënuar mbijetesa e serbëve në Kosovë”.

“Kjo ishte masa më e keqe përshkallëzuese që Kurti solli ndaj popullit serb. Natyrisht që nga atëherë çdo gjë ka ndalur, është kërcënuar siguria dhe mbijetesa e popullit tonë në Kosovë, kështu që kemi filluar të merremi me dinarin. Që atëherë kemi pasur gjashtë takime ku merremi me dinarin dhe bisedojmë me ta, por me Bislimin kjo është e pamundur”, ka pretenduar Petkoviq, duke tentuar të arsyetojë shefin e tij që praktikisht ka hequr dorë nga vazhdimi i dialogut, me pretekst se gjoja janë rrezikuar serbët në Kosovë për shkak të ndalimit të qarkullimit të dinarit të Serbisë në Kosovë.