Peticioni i LS-së për urat, Kuçi: Serbia është ajo që ka prishur ura e jo Kosova
Kuvendi i Kosovës gjatë vikendit ka qenë objekt i një kërcënimi me bombë, mesazh i ardhur nga një numër telefoni i regjistruar në Serbia. Mesazh të cilin institucionet e sigurisë e kanë cilësuar si një sulm hibrid nga Serbia. Ministri në detyrë i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se ky mesazh ka ardhur…

Lajme
Kuvendi i Kosovës gjatë vikendit ka qenë objekt i një kërcënimi me bombë, mesazh i ardhur nga një numër telefoni i regjistruar në Serbia. Mesazh të cilin institucionet e sigurisë e kanë cilësuar si një sulm hibrid nga Serbia.
Ministri në detyrë i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se ky mesazh ka ardhur nga kompania telefonike MTS dhe përdoruesi i tij është identifikuar si Lazar Zhivkoviq.
Sipas njohësit të sigurisë, Gurakuç Kuçi kërcënimi i fundit nga ana e Telekom Serbisë, ka qenë për të treguar se ata akoma vazhdojnë me një luftë dhe se kanë një aftësi operative kundër institucioneve të Kosovës.
Kuçi ka thënë, se Telekom Serbia është pjesë e strategjisë hibride kundër Kosovës dhe vendeve të rajonit, duke mos bashkëpunuar asnjëherë me Policinë e Kosovës, duke fshirë të dhënat për sulmet terroriste dhe duke i kamufluar ato.
“Vet Telekom Serbia, është pjesë e strategjisë hibride kundër Kosovës dhe vendeve të rajonit…Si të tillë vazhdimisht nuk kanë bashkëpunuar me institucionet e Kosovës për çështje të sigurisë, kanë fshirë të gjitha të dhënat, për çështjen e sulmit terrorist në Iber Lepenc, çështjen e Milan Radoiçiqit, po ashtu edhe të dhënat për vrasjen e Oliver Rivanoviqit dhe vazhdimisht i kanë kamufluar për mos t’ia dhënë Policisë së Kosovës, dhe tani e kemi edhe rastin e fundit, ku ata dalin me një kërcënim të ri kundër Kosovës, për të shpallur panik dhe për të treguar se ata akoma po vazhdojnë me një luftë dhe janë një kërcënim për qytetarët dhe se kanë një aftësi operative kundra institucioneve të Kosovës”, ka thënë Kuçi.
Në anën tjetër, sot Lista Serbe ka nisur një peticion kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër, i cili do të përcillet bashkësisë ndërkombëtare.
Rreth kësaj, Kuçi ka thënë se Lisa Serbe është një strukturë e cila prodhon vazhdimisht persona që janë në kuadër të kriminelëve, duke krijuar mundësi dhe kërcënime kundër Kosovës.
Sipas tij, urat në asnjë vend të botës nuk janë kërcënim për ndarje etnike por model i bashkëpunimit.
“Është një strukturë e cila po prodhon vazhdimisht persona që janë në kuadër të kriminelëve dhe në këtë kuadër ata do të vazhdojnë të krijojnë mundësi dhe kërcënime kundër Kosovës. Urat në asnjë vend të botës nuk e kanë kërcënimin për ndarjen etnike e shoqërore, urat janë model i bashkëpunimit, Serbia është ajo e cila vazhdimisht ka vendosur barrikada dhe e cila vazhdimisht ka prishur ura, nuk ka qenë Kosova”, ka thënë kuçi.
Kuçi ka shtuar se veprimet e Serbisë janë në kuadër të angazhimeve të ndryshme që të mos lejojnë një bashkëpunim edhe të vet serbëve të Kosovës me institucionet e Kosovës, duke e parë këtë si një kërcënim të humbjes së pushtetit të Listës Serbe në tërësi dhe Vuçiqit.
Kuçi ka theksuar se dërgimi i peticionit në institucione të BE-së, është një praktikë e vazhdueshme e tyre.
“Verimet e tyre janë në kuadër të angazhimit të ndryshëm, që të mos lejojnë një avancim dhe një bashkëpunim edhe të vet serbëve të Kosovës me institucionet e Kosovës, sepse ata e shohin si kërcënim humbjen e pushtetit të tyre, të Listës Serbe në tërësi dhe të Vuçiqit në këtë rast dhe dërgimi i tyre në institucione të BE-së dhe të tjera tashmë është një praktikë e vazhdueshme e tyre”, ka shtuar ai.
Sipas tij, peticioni i Listës Serbe nuk mund ta ndal ndërtimin e urave në Mitrovicë, pasi që nuk paraqesin asnjë lloj rreziku./kp