Pësojnë keq dy fëmijë në Suharekë nga rryma

Dy fëmijë nga fshati Grejqevc i komunës së Suharekës, kanë pësuar lëndime trupore, si pasojë e goditjes nga energjia elektrike.

Lajme

02/06/2015 16:14

Sipas raporteve fillestare të hetuesve policorë nga vendi i ngjarjes, thuhet se të rinjtë kanë futur tela tek trafo e rrymës, ku më pastaj është krijuar lidhje e shkurtë dhe shpërthim duke bërë që të lëndohen dy fëmijët. Ata tashmë, përveç lëndimeve trupore, gjenden jashtë rrezikut për jetë.

“Dy nxënës të shkollës së fshatit përderisa ishin në pushim në mes të orëve të mësimit kanë shkuar tek trafo ja e rrymës që është rreth 200 metra larg shkollës, dhe pasi kapaku i ormanit ishte i hapur, nxënësit kanë abuzuar duke futur tela të cilët kanë krijuar lidhje të shkurtë dhe shpërthim nga i cili kanë pësuar viktimat”, thuhet në njoftim.

Pas trajtimit nga personeli mjekësor, njëri nga nxënësit është lëshuar në shtëpi me lëndime të lehta trupore ndërsa tjetri është ndalur në Spitalin Rajonal në Prizren por pa rrezik për jetën.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetues policorë dhe krim teknikë të policisë dhe një ekip i KEDS.

Është informuar prokurori i shtetit i cili ka sugjeruar që të hetohet përgjegjësia e secilit që ka të bëj me rastin me qellim që nxënësit të kthehen të sigurt nga shkolla në shtëpi.