Peshkopi Luksoz
Vatikani ka suspenduar udhëheqësin e lartë të Kishës Katolike në Gjermani, i cili konsiderohet “Peshkopi i Luksit” për shkak të shpenzimeve marramendëse.
Lajme
Peshkopi i Limburg’ut, Franz-Peter Tebartz-van Elst, është akuzuar se ka shpenzuar më shumë se 31 milionë euro për ta rinovuar rezidencën e tij zyrtare.
Në vendimin e Vatikanit për peshkopin, thuhet: “Një veprim i tillë konsiderohet i papranueshëm. Ai duhet që për një kohë të qëndrojë larg dioqezës”.
Ky suspendim vjen dy ditë pas takimit të kryepeshkopit me të parin e Vatikanit, Papa Françeskun, gjatë të cilit edhe ishte diskutuar kjo çështje.
“Zgjidhja është gjetur, dhe prej kësaj i bie se peshkopi nuk do të mund t’i ushtrojë detyrat e tij ipeshkvore”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Vatikani.
Sipas komunikatës, një komision i Kishës do të vendosë mbi këtë çështje, por nuk tregohen hollësira për fatin e peshkopit Tabartz-van Elst (53) – ku do të transferohet, apo çfarë do të bëjë ai derisa të zhvillohen hetimet.
Kreu i grupit kryesor të katolikëve të Gjermanisë, Komitetit Qendror të Katolikëve Gjermanë, Alois Glueck, mirëpriti vendimin e Vatikanit.
“Vendimi i Papa Françeskut ofron mundësinë për krijimin e një fillimi të ri në dioqezën e Limburg’ut, sepse situata është bërë një barrë në rritje për besimtarët atje”.
Peshkopi Tebartz-van Elst dhe veset e tij për të shpenzuar tej mase tashmë njihen në Gjermani, pasi që shumë njerëz paguajnë taksa shtetit për Kishën. Në vitin 2012, taksa është ngritur 5.2 miliardë euro për katolikët dhe 4.6 miliardë euro për protestantët.
Ndërkohë, Peshkopi i dyshuar pati deklaruar se renovimi i rezidencës së tij ka kapur shumë prej 5.5 milionë euro.